Banori i veriut të Mitrovicës: Të premten nis sërish punimet

19/03/2015 00:00

Ramadan Istrefi, nga lagja Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, i cili u pengua nga serbët për të rindërtuar shtëpinë në pronën e tij, do të dalë sërish të premten në mëngjes për të rifilluar punimet.

Vendimin për rinisjen e punëve në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicës e ka marrë Këshilli Lokal i Kroit të Vitakut, gjatë një takimi me nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Safet Kamberi.

Përmes telefonit, Istrefi i tha Top Channel se, në takim kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë së kontraktuar për ndërtimin e shtëpisë së tij, dhe se ata janë zotuar që në orën 8 të mëngjesit të dalin sërish me eskavatorë për të punuar.

Istrefi tha gjithashtu që, në rast se nuk do të kenë probleme, do t’i lejojnë edhe serbët të ndërtojnë, por në të kundërt ai paralajmëroi sërish bllokim të rrugës.

Top Channel