Maqedoni, Thaçi takon Jess Baily: Udhëheqësi i opozitës, një kriminel ordiner

19/03/2015 00:00

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë lideri i opozitës, Zoran Zaev po tenton ta diskreditojë atë përmes publikimit të disa bisedave të montuara, midis tij dhe shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Thaçi e quajti kriminel ordiner Zaevin, për të cilin tha se duhej të kishte përfunduar në burg.

“Mendoj se kjo që bën Zaevi është një tentativë për të diskredituar mua dhe PDSH-në. Fillimisht tha se do të nxjirrte dokumentacione të korrupsionit dhe krimit, duke dashur të na vendoste në një nivel me BDI-në. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ketë sukses, sepse shqiptarët nuk iu besojnë tipave të tillë, që flasin për shqiptarë të “ndershëm”. Ajo kohë ka ikur me kohën e Millosheviçit dhe Rrahman Morinës”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, Thaçi tha se kriza politike në Maqedoni mund të tejkalohet vetëm përmes formimit të një komisioni hetimor në Parlament, që do të drejtohej nga PDSH-ja. Sipas tij, kërkesa për formimin e qeverisë kalimtare nuk mund të ofrojë zgjidhje për krizën.

“Çështja e përmbylljes juridike të kësaj situate do të jetë e përgjysmuar. Shumë qytetarë dhe aktorë, që marrin pjesë në këtë situatë, do të jenë tërësisht të pakënaqur me atë vendim. Mendoj se propozimi i PDSH-së për komision anketues është më i mirë, sepse ky komision do të krijojë një situatë të besueshme për institucionet që do të marrin vendime”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Lideri i PDSH-së bëri të ditur se ekzistojnë paralajmërime për angazhim serioz rreth zgjidhjes së shpejtë të çështjes së emrit. Ai tha se qeveria do të ketë mbështjen e pakursyer të partisë së tij, kur bëhet fjalë për zhbllokimin e procesit integrues dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimit me ambasadorin amerikan në Maqedoni, Jess L. Baily.

Top Channel