Tom Doshi, ballafaqim me Lalën, vazhdojnë përballjet mbi kundërshtitë e dëshmive për “komplotin”

19/03/2015 00:00

I shoqëruar së fundmi edhe nga oficerë të policisë që e ruajnë, deputeti Tom Doshi ngjiti shkallët e Prokurorisë për të qenë sërish në shërbim të hetimeve për denoncimin e tij mbi një komplot kundër tij.

Kësaj radhe, Doshi u ballafaqua me biznesmenin Ymer Lala, një proces që u zhvillua pas kërkesës së Doshit për të sqaruar një bisedë mes të dyve, e zhvilluar më shumë se gjashtë muaj më parë.

Ballafaqimi i tyre u bë përpara njërit prej prokurorëve të çështjes, Përparim Kulluri. Emri i Ymer Lalës ka dalë nga një tjetër shtetas i pyetur më herët, Fatjon Skënderi, i cili ka deklaruar se ishte vënë në dijeni prej tij që Tom Doshi i kishte treguar se ai donte ta vriste.

Ymer Lala, thanë burimet, është shprehur se ka qenë vetë Doshi që i kishte treguar se Fatjoni po bënte plan ta vriste, çka e ka detyruar atë që të udhëtojë për në Gjermani, ku edhe e ka pyetur Skënderin për informacionin e dhënë nga vetë deputeti.

Por, ndërsa Skënderi e ka mohuar një gjë të tillë, më tej ai ka folur me nipat e Doshit, duke shprehur gadishmëri për t’u ballafaquar me të në lidhje me këtë trillim sipas tij.

Në fakt, prokurorët më herët kanë zhvilluar edhe ballafaqime mes Durim Bamit dhe Doshit, Mark Frrokut dhe Doshit, ndërkohë që pritet të ketë edhe ballafaqime të tjera mes Skënderit dhe Doshit si edhe mes Skënderit dhe Bamit, një tentativë kjo e organit të akuzës për të gjetur të vërtetën mbi planin e pretenduar për vrasjen e dy deputetëve dhe për të cilin të gjithë të pyeturit japin versione që nuk janë të njëjta.

Top Channel