Kosova, me kompani të tretë telefonike. Nuk përjashtohen operatorët serbë

19/03/2015 00:00

Bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë ka marrë vendim për hapjen e garës për telefoninë e tretë të lëvizshme dhe brezin e ri të frekuencave për territorin e Kosovës.

Kryetari i bordit të ARKEP, Ekrem Hoxha ka marrë vendim që të hapet ankandi publik apo tenderi, i cili do të jetë me karakter ndërkombëtar. Hoxha nuk e ka përjashtuar mundësinë, që në garë të marrin pjesë edhe operatorë të telefonisë serbe.

“Në parim gara është e hapur. Çdo palë, përfshirë edhe operatorët nga Republika e Serbisë kanë të drejtë interesimi dhe pjesëmarrjeje në tender apo ankand, ndërsa rregullat i vendos Autoriteti në bashkëpunim me qeverinë. Në qoftë se flasim për tenderin, meqë ende nuk kemi vendosur nëse mund ta quajmë tender apo ankand, aty mund të diskutohen dhe analizohen shprehjet e interesit, që mund të vijnë qoftë edhe nga operatorët nga Republika e Serbisë”, tha Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të ARKEP.

Hoxha, i cili ka marrë pjesë edhe në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ka sqaruar se ky tender për telefoninë e re nuk lidhet me marrëveshjen për telekomunikacion, që ka arritur Kosova me Serbinë. Ai tha se detajet e tenderit të ri, në konsultim me qeverinë, do t’i bëjnë publike në ditët e ardhshme.

Top Channel