Samiti i BE-së, në fokus Ukraina dhe Greqia

19/03/2015 00:00

Samiti dyditor i liderëve të Bashkimit Europian i mbajtur në Bruksel, i kushtoi rëndësi të veçantë ngërçit ekonomik që ka mbërthyer Greqinë, si edhe kërcënimit ushtarak në lindje të Ukrainës.

“Unioni duhet të qëndrojë solid përballë presidentit rus Vladimir Putin, për të mos e lejuar Moskën që të krijojë ndasi në bllokun 28 vendësh.” Kështu deklaroi kryeministri ukrainas. Asaj që Jacenuk dukej se i druhej më tepër është fakti mos Putin do të ndjekë strategji përçarëse për Bashkimin Europian, pasi nëse kjo gjë ndodh, do të ishte një fitore e sigurt për të.

Por, kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi se nuk do të hiqen sanksionet ndaj Moskës deri në muajin korrik ose shtator, duke pritur që të respektohen të gjitha pikat e marrëveshjes së Minskut. Ajo gjithashtu tha se qëllimi i partneritetit të BE-së është përmirësimi i standardeve të jetesës për njerëzit në atë rajon.

Ndërkohë, qeveria e Moskës vazhdon të mos reflektojë ndaj presionit perëndimor. Lideri i Kremlinit i kërkoi miliarderëve rusë të sigurojnë çdo pasuri të tyren vetëm në bankat brenda vendit, me qëllim shmangien e “ngrirjes” së pasurisë në rast se Bashkimi Europian do të zgjerojë sanksionet.  

Ndërsa duhej që të ndërhynin avionet ushtarake të NATO-s për të ndërprerë avionët rusë patrullimin në hapësirën ajrore të Letonisë, parada ajrore ruse ka rritur frikën për lëvizjen e radhës nga presidenti  Vladimir Putin.

Përsa i përket një tjetër kërcënimi për Europën, jo ushtarak, por ekonomik, duket se rruga e duhur e Greqisë për të dalë nga kriza është që vendi të zbatojë të gjitha reformat ekonomike të ngarkuara nga Bashkimi Europian. Tensionet për situatën financiare të Greqisë rriten më tepër me frikën se vendi mund të braktisë euron, duke shkaktuar një krizë në zonën e monedhës së përbashkët nga 19 kombet.

Top Channel