Përgjimet, Zaev publikon dëshmi të ndërhyrjeve në sistemin gjyqësor

19/03/2015 00:00

Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev ka prezantuar para mediave disa biseda të përgjuara telefonike, që sipas tij dëshmojnë ndërhyrjen e zyrtarëve të qeverisë në sistemin gjyqësor.

Zaev tha se gjyqësori në Maqedoni kontrollohet nga qeveria. Sipas tij, nga materialet audio të prezantuara mund të kuptohet, sesi bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Gruevski vendosin për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe si ndikojnë ata në marrjen e vendimeve gjyqësore.

“Tre persona kanë organizuar emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët më pas i kanë tërhequr sipas dëshirës së tyre për qëllime personale. Ata janë Nikolla Gruevski, kushëriri i tij Sasho Mijallkov dhe Gordana Jankullovska. Ata kanë edhe bashkëpunëtorët e tyre te partneri i koalicionit BDI. Çfarë ironie, bëhet fjalë për ish-ministrin e Drejtësisë, Blerim Bexheti, dhe krahun e djathtë të Ali Ahmetit, zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në konfercën për media të LSDM-së u publikuan disa biseda të përgjuara edhe midis ministrave shqiptarë në kabinetin e Gruevskit. Zaev tha se bisedat mes ish-ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti, dhe zv.kryeministrit, Musa Xhaferi, shpalosin pazaret politike mes VMRO-së dhe BDI-së lidhur me prokurorët dhe gjykatësit.

Në njërin nga materialet e prezantuara dëgjohet se Bexheti kërkon leje nga Xhaferi, për t’i dhënë VMRO-së një vend që i takonte BDI-së në Prokurori.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka paralajmëruar para mediave se, së shpejti do të publikojë të gjitha materialet audio që posedon, edhe në lidhje me rastin gjyqësor “Monstra”.

Top Channel