Baza e PS, shqetësim për punësimet. Asambleja e Tiranës propozon Majkon e Nikollën

19/03/2015 00:00

Për herë të parë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, Partia Socialiste mblodhi Asamblenë e Tiranës. Qëllimi i mbledhjes së Asamblesë lidhej me anën organizative të zgjedhjeve lokale.

Me praninë e kryeministrit Edi Rama, mbledhja është hapur nga Saimir Tahiri, kryetar i PS-së për kryeqytetin, i cili e ka përqendruar fjalën e tij të shkurtër në rëndësinë që marrin këto zgjedhje, testi i parë i rëndësishëm i maxhorancës pas fitores së 23 Qershorit.

Diskutantët socialistë e kanë vënë theksin në shqetësimin që ka baza për sa i përket punësimit. Një burim nga Asambleja, i tha Top Channel se sa herë diskutantët flisnin dhe ngrinin shqetësimet për çështjet e punësimit, ata duartrokiteshin në sallë.

Por, krahas problematikës së punësimit dhe organizimit për zgjedhjet, baza e PS-së së kryeqytetit ka shkuar edhe më tej, duke propozuar edhe kandidatët socialistë për Bashkinë e Tiranës.

Anëtarët e Asamblesë kanë dhënë emra konkretë se kush duhet t’i përfaqësojë ata në garën e 21 Qershorit, duke sugjeruar kryesisht ato të ish-kryeministrit Pandeli Majko dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ish-kryetare e njësisë bashkiake numër një.

Kryesocialisti Edi Rama ka preferuar më shumë të dëgjojë zërin e bazës se sa të jetë protagonist në këtë mbledhje.

Top Channel