Eklipsi diellor, në Tiranë nis në orën 09:35

20/03/2015 00:00

Për 2 orë e 17 minuta, Shqipëria do të preket nga eklipsi diellor, i cili në vendin tonë do të arrijë deri në 40-50% të mbulimit të Diellit nga Hëna.

Eklipsi në Tiranë nis në orën 09:35 dhe kulmi i tij do të jetë në orën 10:42, ku dhe Hëna do të arrijë në pikën maksimale të mbulimit të Diellit në vendin tonë. Eklipsi diellor do të përfundojë në orën 11:52, kur dhe Hëna do të largohet përfundimisht nga sipërfaqja e Diellit.

Mëngjesi dhe mesdita e sotme, për më shumë se dy orë, do të shndërrohen në pasdite, ku drita e Diellit do t’i lërë vendin muzgut.

Dielli do të mbulohet plotësisht në ishullin norvegjez të Svalbardit, atu ku turistët, të cilët kanë prenotuar hotelet që në vitin 2008, do mund të shohin atë që quhet “Unaza Diellore”, e cila arrihet në momentin kur Hëna bllokon tërësisht sipërfaqen e Diellit.

Një tjetër vend i mirë për të parë eklipsin janë dhe Ishujt Faroe, ku Hëna do të mbulojë 98% Diellin, ndërsa në ishulin Luis në Britaninë e Madhe, eklipsi do të jetë në masën 97%. Ndërkohë, pjesa më e madhe e Europës do mund ta shohë eklipsin në zona të ndryshme, duke arritur nga 40% në pjesën jugore të saj, deri në 97% në zona të ndryshme të Britanisë së Madhe.

Eklipsi i plotë diellor është një eveniment i rallë në astronomi, teksa kujtohet se eklipsi i fundit i këtij lloji ka ndodhur në vitin 1999. Por, ajo që të gjithë specialistët vënë në dukje dhe sugjerojnë është të evitohet shikimi i eklipsit me sy të lirë, pasi mund të shkaktohen dëme të parikuperueshme në shikim.

Për këtë, në shumë vende të botës shiten syze të posaçme për parjen e eklipsit, e në mungesë të tyre mund të përdoret letër karboni, film fotografik, apo xham i mbuluar me tym, i bërë në mënyrë artizanale.

Por dita e premte nuk shënon vetëm këtë ngjarje jo të zakonshme, pasi në mbrëmje do të jetë “Super Hëna”, çka nënkupton një Hënë të plotë më të madhe, se ç’është zakonisht, pasi sateliti i Tokës ndodhet në pikën më të afërt me planetin tonë. Po ashtu, të premten do të shënohet dhe ekuinoksi veror, kur dita dhe nata do të jenë të barabarta.

Sipas ekspertëve, këto ngjarje nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën dhe nuk kanë asnjë ndikim, por është shumë e rrallë që tre ngjarje të tilla të regjistrohen në të njëjtën ditë.

Top Channel