Hije skandali mbi dixhitalizimin e TVSH. Harito miraton tenderin e Pollos, firmoset kontrata

19/03/2015 00:00

Kompania “Rohde & Schwarz” do të ndërtojë dy rrjetet dixhitale të Radio Televizionit Shqiptar, të cilat do të mundësojnë kalimin e transmetimeve audiovizive nga analoge në numerike.

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito ka nënshkruar këtë kontratë me vlerën prej 21,5 milionë euro, e cila i hap rrugë këtij procesi, që ishte pezulluar nga gjykata prej gati dy vitesh.

“17 qershori është afati botëror për kalimin në transmetime numerike të të gjithë medieve audiovizive. Shqipëria, sot me këtë kontratë hedh bazën për RTSH-në për të garantuar për të gjithë qytetarët vijimin e transmetimeve të këtij televizioni pa pagesë dhe garancinë që TVSH do të vazhdojë të transmetojë pas kësaj date”, është shprehur ministrja e Shtetit, Milena Harito.

Në këtë takim, Harito theksoi se kontrata e firmosur zbaton vendimin e gjykatës, i cili i kthen të drejtën kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, e drejtë e mohuar në përfundim të procesit të realizuar nga qeveria “Berisha”.

Në tender morën pjesë 4 kompani: suedezët “Ericsson”, japonezët “Nec”, kinezët “Huawei”, si dhe gjermanët “Rohde & Schwarz”. Tenderi, i realizuar nga ish-ministri i Inovacionit Genc Pollo, konkludoi pas një procesi të dyshimtë me dy fitues, “Rhode & Schwarz” dhe “Ericsson”, çka u bë objekt i një gjyqi nga firma zvicerane me qeverinë shqiptare. Por ai u parapri nga polemika të forta për procedurat e shpalljes, vlerën e përcaktuar nga Ministria e Inovacionit prej mbi 20 milionë euro.

Hije skandali mbi dixhitalizimin
Kontrata 21.5 mln euro u kundërshtua, çmimet sot shumë më të lira

Tenderi është kundërshtuar dy vjet më parë nga opozita e atëhershme, mazhoranca e sotme. Deputeti Alfred Dalipi akuzoi ministrin e Inovacionit të qeverisë “Berisha”, Genc Pollo, për shkelje të procedurave të tenderit, paracaktim të firmës konsulente, firmës fituese, shkeljen e ligjit; pasi tenderi nuk duhej të zhvillohej nga qeveria, por nga vetë TVSH; si dhe për çmimin e lartë me të cilin zhvillohej.

Majde, duke e cilësuar një skandal korruptiv, Partia Socialiste, përmes deputetëve Dalipi dhe Balla, dorëzoi edhe një padi në Prokurori. Sot, dy vjet më pas, asgjë nuk ka ndryshuar nga tenderi i kontestuar. Më saktë ka ndryshuar vetëm qëndrimi i opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme.

Opozita e djeshme që e kundërshtonte tenderin, sot mazhorancë qeverisëse e ka firmosur kontratën për tenderin e dixhitalizimit, siç ai u zhvillua në 2013-n, madje duke njohur edhe procedurat e tenderit, edhe vlerën prej 21.5 milionë euro, të cilat do të paguhen në formë kredie të marre nga TVSH, më saktë nga taksapaguesit shqiptarë.

Por, ndërsa ministrja Milena Harito ka shtyrë fort për firmosjen e kontratës, ky tender dhe kjo kontratë ka shkaktuar polemika edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit kombëtar për Dixhitalizimin. Për të qenë e vlefshme, sipas ligjit për Radio Televizionin publik Shqiptar, çdo kontratë që firmoset në emër të RTSH-së që kalon vlerën 5 përqind të buxhetit vjetor të saj, duhet më parë të marrë miratimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Aktualisht RTSH është duke funksionuar pa një këshill kombëtar dhe për pasojë kontrata ligjërisht rrezikon të quhet e pavlefshme.

Kontrata është firmosur sipas një tenderi të zhvilluar dy vjet më parë dhe çmimet e referencës për pajisjet dixhitale kanë qenë të vitit 2013, në një kohë që këto pajisje sot, për shkak të zhvillimit teknologjik, mund të gjenden me një vlerë të paktën 20-30 për qind më lirë, por që do të paguhen 20-30 për qind më shtrenjtë nga taksapaguesit shqiptarë.

Nisur nga këto argumente të diskutuara në Komitetin kombëtar për Dixhitalizimin, sipas burimeve të brendshme kontrata ka hapur debate dhe është kundërshtuar edhe nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Të gjitha këto kontestime hedhin hije të forta dyshimi mbi këtë kontrate dhe kostot që do të sjellë ajo për ligjshmërinë, shtetin shqiptar dhe taksapaguesit.

Top Channel