Kosovë, qeveria “injoron” gjithnjë e më shpesh Kuvendin

19/03/2015 00:00

Mungesa e ministrave në seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës duket se ka filluar të bëhet një dukuri e zakonshme.

Një pjesë e tyre e injorojnë tërësisht Kuvendin, duke mos qenë të pranishëm jo vetëm gjatë debateve të rëndësishme, por as në kohën e pyetjeve parlamentare, kur deputetët ngrenë shqetësimet e tyre për problemet e shoqërisë.

Në pamundësi për të adresuar çështje të rëndësishme, deputeti Besnik Bislimi ka kërkuar që të vendoset një mekanizëm, që i detyron ministrat të jenë të pranishëm gjatë kohës së pyetjeve parlamentare.

“Po iu rikujtoj se është koha e pyetjeve parlamentare dhe 80 për qind e qeverisë nuk është këtu. Ne pyetjet nuk ia bëjmë njëri-tjetrit, por ministrave, ndaj është mirë të gjejmë mekanizmat që i detyrojnë ministrat të jenë këtu, të paktën gjatë periudhës së pyetjeve parlamentare”, tha Bislimi.

Për pjesëtarët e shoqërisë civile, që monitorojnë punën e Kuvendit, kjo tregon një vazhdimësi të kulturës qeveritare për ta injoruar punën e Kuvendit, duke e penguar kështu ushtrimin e funksionit të deputetëve.

“Ndoshta duhet të ketë një mekanizëm, në kuptimin e urdhrit politik, që mund t’i vijë nga ana e kryeministrit për të gjithë kabinetin qeveritar. Ata duhen të detyrohen që të jenë në Kuvend për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare dhe jo vetëm, së paku të qëndrojnë aty edhe për temat që kanë lidhje me fushën e veprimtarisë së tyre. Shpesh ndodh që në Kuvend të debatohet për tema të ndryshme, shumë të ndjeshme për Kosovën, ndërkohë që askush nga kabineti qeveritar nuk gjendet i pranishëm”, tha Driton Selmanaj, KDI.

Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët kanë të drejtë vetëm dy herë t’i shtrojnë pyetjet parlamentare, çka i detyron ata t’i ruajnë pyetjet, me qëllim që kur t’i bëjnë të marrin përgjigjen e duhur. Edhe në këtë rast, për shkak se aktualiteti i temës rrezikon të humbet, deputetët zgjedhin t’i parashtrojnë pyetjet, pavarësisht nëse do të marrin përgjigje apo jo.

“Besoj se ajo që mungon këtu është një koordinim më i mirë, shpesh herë edhe ministrat ballafaqohen me moskoordinim. Kjo ka të bëjë me deklarimet, për shembull shumë herë koha e deklaratave zgjatet përtej kohës së deklaruar për pyetje, ndaj duke qenë se ata kanë edhe detyrime të tjera, dalin t’i kryejnë ato. Jemi në një proces, gjatë të cilit duhet të punohet. Normalisht edhe kryeministri na ka thënë të jemi prezent në Kuvend, t’u përgjigjemi pyetjeve, por ndonjëherë edhe seancat, ku kam parasysh kohën e pyetjeve, zgjasin shumë më shumë se parashikimet. Sidoqoftë, nuk është praktikë apo e qëllimshme që të mungojnë”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i qeverisë së Kosovës.

“Pyetja ime është dorëzuar më 10 shkurt, është lexuar edhe në tjetër herë në seancë, por ministri s’ka qenë këtu. Ajo ka të bëjë me tenderin dhe hapjen e ofertës për Termocentralin “Kosova e Re”. Pyetja ime për ministrin ka qenë sesa do të kushtojë projekti, a ka ndonjë vlerë në shifra?”, tha Visar Ymeri.

“Ministri s’është këtu, ndoshta të gjithë kemi nevojë të informohemi për këtë çështje”, iu përgjigj Xhavit Haliti, kryesues i seancës së Kuvendit.

Top Channel