Raporti i DASH për drogën, Tahiri: Mbështetje për çfarë është bërë dhe atë që do bëhet

19/03/2015 00:00

Mbrëmjen e së enjtes, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka komentuar në rrjetin social Facebook raportin e përvitshëm të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, për luftën kundër drogës në botë.

Edhe pse Shqipëria cilësohet si një vendburim i rëndësishëm i marijuanës dhe pikë nga ku transportohet kokaina dhe heroina drejt tregjeve europiane, raporti i DASH vlerësonte sasinë e rritur ndjeshëm të kapur gjatë vitit 2014 të drogave të ndryshme, si dhe të arrestimeve të shumta të kryera nën qeverisjen e vendit nga koalicioni Rama-Meta.

Ministri i Brendshëm Tahiri e ka konsideruar këtë raport si një vlerësim maksimal të DASH për luftën e qeverisë Rama kundër drogës, për gjithçka të bërë deri më tani falë edhe bashkëpunimit me agjencitë simotra të vendeve fqinje të rajonit, e veçanërisht Italinë, por edhe si një inkurajim dhe mbështetje të sinqertë për luftën në të ardhmen.

Ministri Saimir Tahiri ka theksuar se në raportin e publikuar këtë vit nga DASH vlerësohen angazhimi i qeverisë Rama, puna e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe bashkëpunimi me homologët, duke u dhënë kështu përgjigjen më të mirë – siç thotë ministri Tahiri – “atyre që nuk lanë ditë pa hedhur baltë mbi institucionet e sipërpërmendura të vendit”.

Top Channel