Vlorë, plagoset efektivi i policisë pas shkëmbimit të zjarrit me trafikantët

19/03/2015 00:00

Katër persona u arrestuan në flagrancë mbrëmjen e së enjtes, ndërsa po shkëmbenin 50 kilogramë drogë marijuanë në formë çokollate. Tre të tjerë, tashmë të indentifikuar, i shpëtuan operacionit të policisë të koduar me emrin “Jeep”.

Gjatë operacionit është plagosur lehtë në dorë edhe një polic që mori pjesë në aksion. Sipas Drejtorisë së Policisë së Vlorës, të enjten rreth orës 19:00 është finalizuar operacioni që nisi një muaj më parë. Personat e implikuar në trafik droge po planifikonin shitjen e një sasie të kosiderueshme droge marijuanë në formë çokollate.

Në momentin kur do të bëhej shkëmbimi në zonën e quajtur Qafa e Kuzum Babasë, në qytetin e Vlorës, ka ndërhyrë policia. Thirrjes së tyre për dorëzim, trafikantët i janë përgjigjur me breshëri armësh, për pasojë është plagosur një polic. Pas ndërhyrjes u prangosën shtetasit Edison Begaj, 37 vjeç, person me precedentë penalë për narkotikë, Eraldo Metushi, 30 vjeç, Erjon Çela, 32 vjeç dhe Gjergji  Dervishi, 23 vjeç, të gjithë banues në Vlorë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë: shtetasit me inicialet G.M., K.M. dhe A.B.

Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në vendin e quajtur Qafa e Kuzum Babasë, ku personat e mësipërm kishin rënë dakord për shkëmbimin e lëndës narkotike.

Në momentin që do të shkëmbehej lënda narkotike midis tyre, kanë ndërhyrë efektivat e policisë së Vlorës, të cilët kanë hasur në rezistencën me armë zjarri të njërit prej tyre, rezistencë së cilës i janë kundërpërgjigjur me të shtëna armësh.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe trafikantëve është plagosur lehtë në dorë punonjësi i policisë me iniciale A.B., i cili nuk ka asnjë rrezik për jetën.

Pas shkëmbimit të zjarrit, policia ka bërë të mundur fillimisht neutralizimin dhe kapjen e shtetasit Edison Begaj. Më tej, është ndjekur dhe është kapur në një qendër tregtare shtetasi Erald Metushi si dhe shtetasit Gjergji Dervishi dhe Erion Çela, në afërsi të vendit të quajtur “Poliklinika”.

Lënda narkotike është gjetur brenda automjetit tip Jeep ngjyrë gri që posedohej nga shtetasi Edison Begaj.

Gjatë operacionit policor u angazhuan 35 forca policore të Policisë Vlorë si dhe njësitë e Delta Force. Ndërkohë që policia po vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Top Channel