Greqia dhe partnerët e saj kanë arritur në një kompromis të përkohshëm,
pasi Athina ka premtuar se do të përshpejtojë zbatimin e marrëveshjes së
shpëtimit dhe do t’u dërgojë huadhënësve të saj, brenda disa ditëve, një
listë të plotë të propozimeve për reforma të detajuara.

Ky zhvillim ka ardhur pas një mini-samiti ne Bruksel që ka zgjatur gati tre orë, ku kanë marrë pjesë Kryeministri grek Aleksis Tsipras, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Francois Hollande dhe krerët e institucioneve kryesore të BE-së.
 
Ata i kanë dhënë Athinës, që vlerësohet se ka para deri në mesin e muajit prill dhe ndodhet vetëm një hap larg pamundësisë për të mos shërbyer borxhet, mesazhin e thjeshtë: dorëzoni një listë të plotë me reformat që duhet të zbatoni për të marrë sa më shpejt paratë.

 “Kjo do të thotë se qeveria greke është zotuar sot që vetë ajo të propozojë reformat e saj, me përgjegjësinë e saj, por duke u përfshirë në marrëveshjet që kemi bërë tashmë. Këtë ajo duhet ta bëjë shumë shpejt në ditët e ardhshme dhe me pas padyshim që mund të fillojë procesi i vlerësimit”, tha Angela Merkel, Kancelarja gjermane.

Nga ana e tij, Kryeministri grek ka deklaruar se procesi i negocimit me partnerët është rivendosur përsëri në binarë, duke theksuar se Greqia nuk ka detyrim të marrë masa shtrënguese.

“Ne jemi më optimistë pas këtij reflektimi. Unë mendoj se të gjitha palët konfirmuan synimin e tyre për t’u përpjekur e për të bërë të mirën e tyre, për të kapërcyer vështirësitë e ekonomisë greke sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Aleksis Tsipras.

Ka disa javë që Athina kërkon nga kreditorët e saj, pas marrëveshjes së 20 shkurtit, më shumë kohë dhe para për të zbatuar planin e saj të reformave, por huadhënësit e Greqisë vlerësojnë se qeveria e re e Kryeministrit Tsipras asnjëherë nuk ka paraqitur një plan të plotë me reforma strukturore dhe shpesh ka kërkuar teë vazhdohen reformat e mëparshme, në mënyrë që të zhbllokojnë financimin e saj .

Nga ana e tyre, Radikalët e Majtë që kërkojnë në radhë të parë të zbatojnë reformat për krizën humanitare që do të ndihmojnë qytetarët në nevojë, ndodhen përballë një asfiksie financiare që ka dobësuar shumë mundësitë dhe pozitat e tyre për të negociuar me partnerët, duke bërë që të anulojnë përkohësisht shumë prej premtimeve të tyre elektorale.

Sipas sondazheve të fundit, shumica e grekëve kërkon nga qeveria të bjerë dakord me partnerët dhe të mos arrihet në udhëkryq që do ta kthenin Greqinë përfundimisht jashtë zonës së monedhës së përbashkët.

Top Channel