Dixhitalizimi, Rama: Shqipëria, avangard

20/03/2015 00:00

Procesi i dixhitalizimit, pra kalimi nga rrjetet analoge në ato
numerike, do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Ministrja e Shtetit për 
Inovacionit dhe Administratën, Milena Harito, në një takim me
perfaqesues te institucioneve kombetare dhe ndërkombetare tha, se, pas
nënshkrimit te kontrates me ‘Rohde Shvarc’, nis puna per kete proces, i
cili eshte mbajtur peng per gati dy vjet.

“Kjo kontratë zbaton vendimin e Gjykatës, që i kthen të drejtën kompanisë gjermane, të drejtë të mohuar padrejtësisht në procesin e realizuar nga Qeveria Berisha. Ky vendim gjykate, i jep sigurinë juridike të nevojshme për kompaninë, sipas parimit kushtetues të vazhdueshmërisë të angazhimit të shtetit në marrëdhëniet e tij kontraktuale, ndaj zbatohet plotësisht në përpjekjen tonë të përditshme, për kthimin në vend të shtetit ligjor, në të gjitha hallkat e tij”, tha Harito.

Kreu i Qeverisë, Edi Rama tha, se edhe pse Shqiperia ishte nje vend avangard, në krahasim me shume vende te Europes, ne procesin e dixhitalizimit, fale gjenialitetit te Dritan Hoxhes, sot gjendemi para sfides se konsolidimit te kesaj infrastrukture.

“Shqipëria është një realitet i vogël hapësinor, por është një realitet ku infrastruktura dixhitale nisi të konceptohet dhe të realizohet paralelisht, e madje në shumë raste edhe më shpejt se sa në shumë vende të Bashkimit Evropian, falë gjenialitetit të një individi të vetëm, Dritan Hoxhës, i cili, jam i bindur do të kujtohet gjithmonë në këtë vend, si pioneri i revolucionit dixhital. Sot, sfida jonë, si vend dhe si Qeveri, është sfida e konsolidimit të infrastrukturës dixhitale, që përbën dhe një objektiv të Qeverisë sonë”, tha Rama.

Procesi i dixhitalizimit do te jete i drejte dhe nuk do te kete monopole, tha Kryeministri Rama.

Nje pike e rendesishme eshte zhbllokimi i Radiotelevizionit Shqiptar, i cili prej dy vitesh mbahet peng nga opozita. Rama tha se do te kete ndryshime ne Ligjin e Mediave Audiovizive, pikerisht ne nenit qe lidhet me zgjedhjen e Këshillit te RTSH-së, i cili mbahet si peng e mos arritjes se konsensusit.

“Ne do të propozojmë një ndryshim të ligjit, që garanton mundësinë për konsensus, por që nuk e le TVSH-në peng të mosarritjes së konsensusit. Në rastin e TVSH-së, do ta çlirojmë TVSH-në, nga të qënit viktimë e pamundësisë për të arritur konsensus mes forcave politike”, tha Rama.

Por, ish-ministri i Inovacionit, Genc Pollo, teksa përsëriti retorikën me akuzat e tij për procesin e marrjes së institucioneve të pavarura nga mazhoranca, duke iu referuar edhe AMA-s, rihapi debatin për tenderin e dixhitalizimit të organizuar prej tij, duke kundërshtuar tashmë tenderin si të tejkaluar, për shkak se termat e referencës, por dhe se çmimet në treg kanë ndryshuar.

“Ajo garë, e cila rezultoi e kompromentuar, për shkak se këshilltarët e ofruar nga institucioni përfitues, rezultuan, që, në vend të këshillonin vetëm Autoritetin Publik, këshillonin edhe ofertuesin në garë, i cili rezultoi fitues dhe dje ka nënshkruar kontratën, bashkë me zonjën ministre. Në vend të një gare, moralisht, administrativisht, ndoshta edhe më shumë, është e kompromentuar, pas dy vjetësh do të kishte qenë më e dobishme për interesin publik dhe për xhepin e taksapaguesit, që të rishikoheshin termat e referencës dhe të hapej një garë e re. Në kushtet e rënies së çmimeve, jam i bindur se do të paguhej shumë më pak se sa do të paguajë taksapaguesi shqiptar”, tha Pollo.

Ne pergjigje te verejtjeve te tjera te Pollos, kryetari i AMA-s Genti Sala tha se AMA po zbaton ligjet e institucionit te pavarur, te cilin ai drejton dhe kjo mund te verifikohet mjaft thjesht permes punes transparente te ketij institucioni.
 
“Me plotësimin e vendeve vakante të AMA-s, gjatë muajit nëntor, institucioni ka angazhuar të gjitha burimet e nevojshme, në përmbushjen e detyrimeve ligjore. Eshtë hartuar një plan pune i detajuar, ku parashikohen angazhimet, afatet kohore dhe burimet e nevojshme, për përmbushjen në kohë të objektivave që kërkon ky proces”, tha Sala.
 
Perfaqesuesi i OSBE-së tha se zhvillimi i një procesi me konkurrencë të drejtë e të hapur është shumë i rëndësishëm.

Top Channel