Ahmetaj pret ministrin bullgar, e fton për investime në fushën e naftës dhe gazit

20/03/2015 00:00

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka takuar ministrin e Transportit dhe Teknologjisë së Bullgarisë, Ivajlo Moskovski.

Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë qenë në qendër të takimit mes dy ministrave. Ahmetaj nënvizoi se ndonëse vitet e fundit shkëmbimet tregtare mes dy vendeve po njohin rritje, sërish ato janë nën kapacitetet reale që duhet të jenë.

Për këtë arsye, Ahmetaj ka ftuar sipërmarrjen bullgare që të investojë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në fushën e naftës dhe gazit.

Edhe ministri bullgar ka përkrahur nevojën e rritjes së fluksit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, ndërsa është shprehur optimist se krijimi i zonës së lirë ekonomike midis Tiranës dhe Durrësit do të tërheqë investitorët bullgarë.

Ndërsa ka inkurajuar projekte të përbashkëta në kuadër të “Korridorit 8” për të tërhequr edhe më shumë investitorë serioze: “Mbështesim idenë për të kërkuar mundësitë që të realizojmë sa është e mundur më shumë projekte të integruara sepse të gjitha projektet e përbashkëta që mund të realizohen në kuadrin e “Korridorit 8”, në portet e të dy vendeve, por pse jo edhe në linjën ajrore mes Sofjes dhe Tiranës, janë projekte me shumë rëndësi dhe që mund të tërheqin investitorë serioze.”

Top Channel