PD, Noka: Policia e Tahirit po dhunon banorët e Kukësit

20/03/2015 00:00

Flamur Noka, deputet i Partisë Demokratike, tha në një deklaratë për mediat se “mafia e Ilir Metës po vjedh pasuritë e vendit dhe policia e Tahirit po dhunon banorët e Kukësit”.

“Banorët e fshatrave ngrenë zërin dhe protestojnë sepse mafia e minierave e Ilir Metës, po grabit pasurinë, po dëmton pronat e tyre. Protestojnë sepse kjo mafie e kromit është sulur ngado dhe babëzia e saj nuk ka kursyer as oborret e shtëpive. Kushdo që kundërshton, e pret dhuna e policisë dhe burgu, pasi në anën tjetër të këtij biznesi është ortaku i Ilir Metës, Saimir Tahiri, i gatshëm për bashkëpunim kriminal, në këtë rast bashkë me kushëririn e tij, drejtor policie në Kukës”, u shpreh Noka.

Deputeti demokrat shtoi: “Mafia e minierave e Ilir Metës, që merret me biznesin e kromit po grabit në mënyrë arbitrare jo vetëm pasurinë e fshatrave të Kukësit, por po dhunon e ushtron terror prej shumë kohësh ndaj banorëve të këtij rrethi. Dje në fshatin Mamëz policia ka arrestuar e dhunuar fizikisht, burra e gra e të moshuar. 50 banorë janë shoqëruar në komisariat. E njëjta situatë e rëndë është edhe në fshatin Kalimash e Surroj. Kushdo që kundërshton, e pret dhuna e policisë dhe burgu.”

Në emër të Partisë Demokratike, Noka i bëri thirrje policisë që “të tërhiqet nga represioni”.

Top Channel