Kërkesë për arrestimin e Doshit dhe Frrokut, Prokuroria i drejtohet Kuvendit

20/03/2015 00:00

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kallëzim i rremë”, “Kanosje për deklarata apo dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara prokurorit”.

Ky është konkluzioni i organit qendror të akuzës, që  pas 17 ditëve maratonë hetimore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se, deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku janë tashmë një çështje hetimore që zgjidhet me arrestimin e dy ligjvënësve të Kuvendit, të cilët janë tashmë jo vetëm përballë prokurorëve në pozicionin e të dyshuarve, por mesa duket edhe kundër njëri-tjetrit.

Në këtë mënyrë, për shkak të pozicionit si deputetë të Kuvendit të dy ish-miqve, Prokuroria e Përgjithshme e ka marrë situatën në dorë për shkak të kompetencave. Për Prokurorinë e Përgjithshme, në këtë skenar të trilluar deputeti denoncues Tom Doshi është ndihmuar nga deputeti Mark Frroku dhe i akuzuari Durim Bami.

Për këtë, zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se, nga tërësia e veprimeve hetimore krijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana Doshit dhe e pohuar prej tij para organit procedues ka qenë e sajuar.

Kjo, sepse në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve nuk rezulton ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së personit në fjalë, e mbetur në tentativë.

Duke iu referuar veprimeve të kryera nga Krimet e Rënda, sikurse edhe marrja e dhjetëra deklaratave, mes tyre edhe e funksionarëve më të lartë të shtetit, Prokuroria e Përgjithshme kujton se hetimet u çelën për dyshimet e vrasjes së mbetur në tentativë, pas kallëzimit të kryer nga vetë Doshi, i cili deklaroi publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eliminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër.

Këmbëngulja e Doshit se ndaj tij kishte patur një komplot për ta vrarë dërgoi në prokurori për të dhënë deklaratat e tyre personazhe të politikës, e po ashtu edhe funksionarë të lartë të shtetit, që nga Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm, por edhe ish-kryeministrin Berisha e deputetë të tjerë, si Kryemadhi, Braho, Paloka e Fufi.

Gjatë hetimeve, Doshi u ballafaqua me Frrokun, i cili nga ana e tij mohoi ta kishte njoftuar se ndaj tij po organizohej një skenar për ta vrarë, ndonëse Doshi në këtë senacë u tha se kishte këmbëngulur të ishte njoftuar prej tij.

Edhe i arrestuari si vrasës me pagesë, por që u prezantua si një i penduar që nuk donte ta kryente krimin, shtetasi Durim Bami dha një dëshmi befasuese për prokurorët gjatë hetimeve, kur u tregoi atyre se ishte porositur prej Doshit që të deklaronte këto sajesa.

Ndërsa shfaqej nën roje private sigurie, por edhe në shoqërimin e agjentëve të policisë, deputeti Doshi gjatë kësaj kohe ngjiste shkallët e Krimeve të Rënda pothuajse përditë, një veprim që tashmë do t’i duhet ta kryejë në një prokurori tjetër dhe me një status tjetër.

Top Channel