Esposito: Islami s’mund të jetë kurrë arsye për mos integrimin në BE

20/03/2015 00:00

Profesor Doktor John Esposito, nga Universiteti Georgetown, është një
prej akademikëve amerikanë më të njohur me 35 libra të shkruar për fenë
islame, ishte i ftuar për të referuar në konferencën “Islami dhe Paqja
Globale”.

Në një intervistë për Top Channel ai thotë, se, teknikisht ISIS e ka të mundur për të rekrutuar në vende të ndryshme, përfshirë edhe Ballkanin dhe ajo që ne duhet të shikojmë është, se deri në çfarë niveli dhe si arrinjë ta bëjnë këtë.

“Nëse njerëzit shprehin shqetësim për Ballkanin kjo lidhet me kujtesën që ata kanë për luftën në këtë rajon. Dhe kjo lidhet me atë që ndodhi me Al Kaedën që i shfrytëzonte këto ngjarje për penetrimin e saj. Nga informacionet që unë kam, mund t’ju them se një vend si Shqipëria, duke marrë në konsideratë historinë, nuk e shikoj të jetë një vend i  rrezikuar”, thotë Esposito .

Prof. Dr. John Esposito bën këtë koment për 70 shqiptarët që besohet se i janë bashkuar ISIS: “Nëse e shohim këtë fenomen, duke e krahasuar me numrin e popullsisë shqiptare, 70 shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar me ISIS nuk është një numër i madh. Nuk është diçka e njëjtë me ato shtete që  kanë 500, 700  apo 3000 luftëtarë. Është me rëndësi për politikanët, udhëheqësit fetarë dhe sektorin e edukimit të jenë të shqetësuar për ata 70 persona, pasi duhet të studiohet profili këtyre njerëzve se çfarë ata ndajnë me njëri-tjetrin, e më pas duhet të nxirren konkluzionet e duhura. Nuk më surprizon fakti që mes tyre ka edhe disa të rinj”.

A mbartin ndonjë rrezik ata që kthehen nga Siria?

“Po, unë mendoj se ata që kthehen me dëshirën e tyre dhe kërkojnë të largohen nga ISIS nuk përbëjnë ndonjë rrezik. Ata që kthehen, pra me dëshirë, janë ata, të cilët kanë shkuar atje mbase me ide romantike në mendjen e tyre. Por të tjerët që kthehen përbëjnë rrezik, pasi mund të jenë të inkurajuar nga ISIS”, thotë profesori.

Sipas, Profesor Doktor John Esposito, ky fenomen në mënyrë kategorike nuk duhet të jetë pengesë për integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian.

“Unë mendoj se kjo nuk e dëmton. Nëse shikoni Bashkimin Europian janë pikërisht vendet europiane që kanë problemet më të mëdha me ISIS. Shqipëria dhe vendet e tjera mund t’u thonë europianëve: shikoni, ne po i bashkohemi familjes tuaj, por ju keni probleme të kësaj natyre, të cilat mund të na i përcillni edhe ne. Unë mendoj se kjo nuk mund të ngrihet si një barrierrë. Dhe nëse ngrihet si një barrierë, atëherë mund të thuhet se Bashkimi Europian ka një problem se si e trajton Islamin”, theksoi Profesor Doktor John Esposito.

Top Channel