OBSH fshehu rrezikun e Ebolës, mori njoftimin për ndihmë 2 muaj më herët

20/03/2015 00:00

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shtyrë për dy muaj lajmërimin e përhapjes së epidemisë së Ebolës në Afrikë, duke pasur frikë dëmtimin e ekonomive të vendeve të saj.

Lajmin e ka bërë të ditur “Associated Press”, përmes sigurimit të disa dokumenteve dhe email-eve të brendshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka pranuar kohë më parë, se nuk ka qenë e shpejtë në dhënien e këtij alarmi, por për këtë kishte fajësuar në njëfarë mënyre shpejtësinë e përhapjes së virusit.

Dokumentet e zbuluara dëshmojnë se funksionarë të OBSH-së ishin informuar shpejt për situatën e rëndë dhe morën edhe kërkesë për ndihmë urgjente. Po në këtë dokument rezulton se drejtuesit e saj morën në shqyrtim idenë për të deklaruar një emergjencë shëndetësore ndërkombëtare, në lidhje me përhapjen e epidemisë që në fillim të muajit qershor, dy muaj para lajmërimit zyrtar, i cili u bë në gusht të 2014-s.

Por menaxherët kryesorë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e hodhën poshtë idenë e lajmërimit të menjëhershëm, duke thënë se do të ndikonte negativisht në ekonomitë e vendeve të prekura nga Ebola.

Top Channel