Haxhinasto-Lu: Të nxisim investimet amerikane në ekonomi dhe infrastrukturë

20/03/2015 00:00

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u takua
sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald
Lu, të cilin e njohu me zhvillimet më të fundit në sektorin e
transportit dhe infrastrukturës në vend dhe me objektivat dhe projektet
konkrete në këto fusha.

Haxhinasto vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të veçantë të SHBA për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj. Ai vlerësoi praninë e kompanive amerikane në ndërtimin e kësaj infrastructure dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes amerikane për korridoret e rëndësishme të transportit që kalojnë në territorin e vendit, veçanërisht për Korridorin 8,I që lidh portet e Shqipërisë me Shkupin, Sofjen dhe portin e Detit të Zi.

Gjithashtu, ministri Haxhinasto i bëri të ditur ambasadorit Lu se, Shqipëria ka kërkuar pranë BE-së që Korridori Adriatiko-Jonian dhe Korridori 8 të jenë pjesë e korridoreve europiane të rajonit.

Ambasadori Lu vlerësoi hapat e ndërmarrë deri më tani për reformat, veçanërisht në fushën e sigurisë rrugore dhe të përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Ai u angazhua për promovimin e një bashkëpunimi më të ngushtë me Departamentin Amerikan te Transportit.

Në fund të takimit, dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nevojën e rritjes së investimeve të kompanive amerikane në ekonominë dhe infrastrukturën shqiptare.

Top Channel