Kosovë, opozita kritikon 100-ditëshin e parë të qeverisë

20/03/2015 00:00

Tre subjektet opozitare në Kosovë, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA kanë kërkuar të premten debat parlamentar për 100-ditëshin e qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë që nëpërmjet një konference për media, qeveria e Isa Mustafës është vlerësuar me nota negative nga Vetëvendosje.

Kryetari i këtij subjekti politik, Visar Ymeri tha se kjo qeveri ishte goditja përfundimtare ndaj qytetarëve, të cilët morën rrugën e ikjes.

Duke e vënë theksin tek buxheti i vitit 2015, Ymeri theksoi se ai nuk adreson problemet kryesore të shoqërisë kosovare.

Raporti i qeverisë me Kuvendin është një tjetër problem, vijoi Ymeri, duke theksuar se ligjet e miratuara deri më tani mund të numërohen me gishtat e një dore.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu e cilësoi koalicion PDK-LDK si koalicionin e Gjykatës Speciale, të bisedimeve me Serbinë dhe të krijimit Asociacionit të Komunave Serbe.

Ajo kritikoi qeverinë për heshtjen ndaj zhvillimeve në Këshillin Prokurorial dhe shtoi se Vetëvendosje do të marrë masat e nevojshme për ta parandaluar krijimin e Gjykatës Speciale.

Sa i përket programit qeveritar, kreu i Vetëvendosjes, Ymeri e quajti atë një material të shkruar në formë prozaike për problemet në Kosovë.

Më herët, kritika akoma më të ashpra i drejtoi qeverisë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se qeveria Mustafa-Thaçi është tërësisht e dështuar dhe ka mbytur shpresën e qytetarëve, duke e futur vendin në një vorbull të mashtrimit.

Top Channel