Rama: Po ecim mbarë me legalizimet, meritojmë edhe duartrokitjet e demokratëve

20/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së
lejeve të legalizimit të banesave në Fushë-Krujë, duke theksuar se vetëm
brenda një viti janë kryer 1000 legalizime në këtë zonë.

“470 legalizime në 8 vjet, ndërkohë që vetëm në këta muaj, që kur është hapur zyra, ne sot jemi mbi 1 mijë legalizime. Mbi 1 mijë legalizime që janë legalizim i një mundi, i një djerse dhe i një sakrifice të madhe që keni bërë të gjithë ju. E, për këtë, ne jemi shumë krenarë. Ashtu sikundër jemi shumë krenarë që ky proces për ne nuk është një proces i majtë apo një proces kundër të djathtëve, por është një proces për t’i trajtuar me dinjitet të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, votues ose jo votues të koalicionit tonë, të cilët meritojnë më në fund të kenë dokumentin e pronës së tyre. Besoj që, ky është një ndryshim themelor midis kësaj qeverie dhe pushtetit të mëparshëm dhe për këtë ndryshim themelor unë jam i bindur që ne meritojmë edhe duartrokitjet e shumë demokratëve që janë këtu”, tha Kryeministri.

Duke theksuar se në Fushë-Krujë nuk kishte asnjë zyrë ALUIZNI, prej tani procedurat për të plotësuar kërkesat për legalizim bëhen në këtë qytet.

“Gjithkush që donte të legalizonte banesën duhet të shkonte në Durrës se këtu nuk kishte zyrë. Të lumtur që pas hapjes së zyrës vijmë sërish për të mbajtur një premtim”, tha Rama.
 
Kryeministri shtoi se legalizimi i banesave do të mund t’iu krijojë këtyre qytetarëve mundësinë që të mund të marrin edhe kredi. Më tej ai ka theksuar se koha e ndërtimeve pa leje merr fund me procesin e legalizimit.
 
“Me marrjen e lejes së legalizimit nuk është thjeshtë marrja në dorë e një dokumenti që e garanton përfundimisht shtëpinë, por është marrja në dorë e një dokumenti që krijon një mundësi të re për ekonominë tuaj familjare. Sepse me këtë leje legalizimi dhe me regjistrimin e shtëpisë në hipotekë, ju bëheni pronarë të ligjshëm të investimit tuaj. Keni në dispozicion një mundësi për të shkuar në bankë dhe për ta përdorur shtëpinë si kolateral, për të marrë një kredi, për të hapur një biznes të vogël, për të zgjeruar një biznes të vogël që mund ta keni, për të zgjeruar një fermë, për t’u bashkuar me të tjerë, për të bërë një investim privat, për të mbështetur studimet e fëmijëve dhe kështu me radhë. Pra, ky është një stimul për ekonominë e çdo familjeje”, theksoi Rama.

Top Channel