Udhëton në Norvegji për të parë eklipsin, gjen ariun polar

20/03/2015 00:00

Në vendlindjen e tij eklipsi diellor ishte i pjesshëm dhe për të mos humbur mundësinë për të parë një eklips diellor të plotë, një 37-vjeçar çek udhëtoi drejt ishujve norvegjezë për të shijuar spektaklin e dhuruar nga fenomeni astronomik.

Kjo zgjedhje për pak i kushtoi jetën Jakub Moravec, nga Praga. Ai, së bashku me të dashurën dhe mamanë e të dashurës së tij udhëtoi për në ishullin Svalbard në veri të Norvegjisë. Aty kishte ngritur një çadër kampi në pritje të eklipsit diellor.

Por në vend të eklipsit dhe kur 37-vjeçari ndodhej në gjumë, në çadër është futur një i paftuar jo fort miqësor. Jakub kur ka hapur sytë ka parë mbi vete një ari polar.

“Ishim në gjumë dhe kur u zgjova pashë ariun mbi mua. Ishte mbi fytyrën time. Fatmirësisht miqtë e mi e qëlluan në kohë”, tregon vetë Jakub.

Zuzana Hakova, e dashura e 37-vjeçarit që ndodhej së bashku me të në çadrën e kampit shpjegon se si nëna e saj qëlloi tri herë kafshën.

“U zgjuam nga thirrjet Ariu! Ariu! Jashtë çadrës kishim nga një pushkë. E kishim të pamundur të arrinim deri te pushka jashtë, ndaj nëna ime nxorri pistoletën që mbante me vete dhe qëlloi ariun tri herë”, thotë ajo.

Jakub shpëtoi paq me plagë të lehta në kokë dhe krahun e majtë, por më shumë se sa plagët, ajo që i dhemb më tepër atij është humbja e eklipsit të plotë diellor.

FOTO GALERI
1/1
Ariu qe per pak i mori jeten 37-vjecari cek, Jakub Moravec

Top Channel