I sapokthyer nga turi europian në Berlin dhe Bruksel, kreu i opozitës e cilësoi dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, si një parakusht për besueshmërinë e hetimit të akuzës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve.

“Me aktin e dorëheqjes, Ilir Meta t’i hapë rrugë hetimeve, t’i japë një mundësi të vërtetës. A do të dalë apo jo e vërteta në shesh, kjo varet nga disa faktorë. Por, që e vërteta nuk do të dalë dhe nuk mund të dalë në shesh, kur i akuzuari është numri dy i vendit, kur ngjarja ka 6 muaj që mbahet e fshehtë, kur ka përpjekje për të drejtuar hetimin në një hulli të paracaktuar nga vetë krerët e shumicës, nuk mund të ketë dalje të së vërtetës në shesh. Asnjë shqiptar, as i djathtë dhe as i majtë nuk mund të besojë, dhe ka të drejtë të mos besojë, në një hetim që kryhet në këto kushte”, tha Lulzim Basha.

Kreu i opozitës foli përpara se Prokuroria të kërkonte autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, por ai ishte i bindur se, pa ekspertizë ndërkombëtare, presioni politik do të ishte mbizotërues te çështja.

“Natyra e akuzave është tepër e rëndë, për t’iu besuar verbërisht një Prokurorie që ndodhet nën presion politik. Çdo hetim që kryhet me Ilir Metën në postin e kryetarit të Kuvendit ka zero vlerë”, shtoi më tej kreu i opozitës.

Për Partinë Demokratike është jetike një ndarje përfundimtare e politikës nga krimi dhe, për këtë arsye, ajo do të ngrejë një komision të posaçëm për verifikimin e çdo personi që do të kandidojë në zgjedhje.

“Pa një proces të dekriminalizimit të politikës, pa ndarjen e krimit nga vendimmarrja e lartë politike, nuk mund të ecet përpara në asnjë rrafsh. Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të angazhuar që këtë proces ta finalizojmë me çdo çmim”, deklaroi Basha.

Me aleatët, ata që, siç thotë Basha janë në opozitë me Qeverinë, diskutimet për zgjedhjet do të nisin së shpejti dhe në një periudhë të afërt do t’i jepet përgjigje edhe pyetjes nëse Lulzim Basha do të rikandidojë për Tiranën.

“Për Tiranën, qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt”, tha Basha.

Top Channel