Mbi 130 të vrarë nga shpërthimet në Jemen, ISIS merr përgjegjësinë

20/03/2015 00:00

Dy sulme kamikaze në dy xhami në zonën qendrore të kryeqytetit të Jemenit kanë shkaktuar të paktën 137 të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.

Shpërthimet ndodhen thuajse në të njëjtën kohë në pikun e faljeve të së premtes. Agjencia Reuters, duke cituar autoritetet vendase thotë se numri i personave të vdekur e të konfirmuar deri më tani është ndalur në 126. Ky numër mund të rritet në orët në vazhdim pasi disa prej qindra të plagosurve janë në gjendje të rëndë.

Sulmi është marrë përsipër nga ISIS, grupi ekstremist sunit që prej muajsh ka vendosur në darën e terrorit territore të gjera në Siri dhe Irak. Përveç luftës me Perëndimin, ISIS është në betejë edhe me myslimanët shiitë dhe shpërthimet lexohen si mesazh kundër fiseve shiite Houthi që morën kontrollin e qeverisë jemenase disa javë më parë.

Jemeni cilësohet një vend në kaos politik dhe fetar. Vendi është i ndarë në dy, mes veriut dhe kryeqytetit Sana të kontrolluar nga shiitët Houthi dhe jugut të vendit, i cili është në duart e presidentit të rrëzuar, Rabbo Mansour Haddi.

Ky nuk është sulmi i parë kamikaz në vend gjatë muajve të fundit, por nëse më parë Al Qaeda kishte sulmuar ushtarë dhe kazerma, për herë të parë sulmohen besimtarë. Mungesa e stabibiletit në vend, mund t’i hapë rruge Al Kaedës së Gadishullit Arabik, që të kthejë vendin në një fortesë terroriste.

Top Channel