Ekspertët: Kërkesat e Listës Serbe cënojnë rendin kushtetues

20/03/2015 00:00

Ekspertë juridikë në Kosovë vlerësojnë se kërkesat e Listës Serbe, të dala nga mbledhja e parë e Kuvendeve Komunale me shumicë serbe, cënojnë rendin kushtetutes të Kosovës.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka deklaruar se qeveria kosovare duhet të bëjë dy gjëra pas paraqitjes së 10 kërkesave nga kjo parti, që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës.

“Gjëja e parë që duhet të bëjë Prishtina është ta raportojë në Bruksel këtë ndërhyrje direkte të Beogradit në punët e Brendshme në Kosovë. Të bëjë të qartë se Serbia po e shkel me të dyja këmbët marrëveshjen e 19 prillit dhe se po vepron në drejtim të kundërt sa i takon normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Korenica.

Gjëja e dytë sipas tij, është që qeveria e Kosovës të ndërpresë dialogun me Serbinë për aq kohë sa nuk ka zbatim të marrëveshjes së 19 prillit.

Ndërkohë, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, duke reaguar ndaj paralajmërimeve, kanë deklaruar se kërkesat që cënojnë rendin kushtetues të vendit nuk do të pranohen.

Ndërsa Oda e Avokatëve të Kosovës ua ka bërë të qartë serbëve se nuk do të njihen liçencat e Odës së Avokatëve të Serbisë, që ishte parashtruar si kërkesë në dhjetë pikat e tyre.

Top Channel