Afganistan, dogji Kuranin, turma rreh për vdekje e më pas djeg gruan me probleme mendore

20/03/2015 00:00

Një grua afgane u rrah për vdekje dhe më pas trupi i saj u dogj nga një turmë e inatosur në kryeqytetin Kabul.

Gruaja akuzohej prej turmës se kishte grisur dhe më pas djegur fletë të Kuranit pranë një xhamie.

Familja e gruas, që në mediat vendase identifikohet vetëm si Farkhunda, deklaroi se prej disa vitesh ajo kishte probleme mendore. Prindërit e saj thonë se ajo nuk e ka djegur me vetëdije Kuranin.

Më e keqja është se gjithçka ka ndodhur në sytë e forcave të rendit, madje edhe të një njësie elitë që lufton terrorizmin. Kreu i kësaj njësie tha për BBC se është qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri për të shpërndarë turmën, por ka qenë shumë vonë.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani urdhëroi nisjen e një hetimi mbi ngjarjen në fjalë.

“Askush s’e ka të drejtën që t’i vendosë vetes kompetencat e një gjyqtari a gjykate duke vrarë të tjerët, cilado qoftë arsyeja e kësaj”, deklaroi presidenti afgan.

Deri më tani katër persona janë arrestuar në lidhje me krimin makabër.

Top Channel