Presidenti i PSG-së: Jemi gati për Barcelonën

20/03/2015 00:00

Barcelona dhe PSG do të përballen në të njëjtën fazë të Ligës së Kampioneve për herë të dytë në tre vitet e fundit. Çfarë ka ndryshuar që prej asaj përballjeje të fituar nga katalanasit falë golit në fushën kundërshtare?

Presidenti i PSG-së, Nasser El-Khelaifi këmbëngul se skuadra e tij është gati për sfidën, ndërsa për Cavani-n do të duhet “forcë dhe kurajo”.

Dy skuadrat ishin në grupin F dhe në dy përballjet mes tyre ndanë nga tri pikë. Francezët fituan ndeshjen në shtëpinë e tyre me rezultatin 3-2, ndërsa katalanasit, që zunë edhe vendin e parë në grup, fituan në Camp Nou 3-1.

Në çerekfinalen e 2012-2013 Barcelona u kualifikua vetëm falë rregullit të golit në fushë kundërshtare, pasi dy takimet përfunduan me rezultatin e përgjithshëm 3-3. Disa vite më herët, në 1997, katalanasit kanë mposhtur 1-0 skuadrën franceze në finalen e Kupës UEFA (sot Liga e Europës). Goli i vetëm në atë finale u shënua nga Ronaldo (braziliani).

Për të parë triumfin e PSG-së ndaj Barcelonës duhet të kthehemi në sezonin 1994-1995. Francezët barazuan 1-1 në Spanjë dhe fituan takimin e dytë në shtëpi 2-1 duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve.

Barcelona nuk ka fituar asnjë takim në katër udhëtimet e fundit të saj drejt Francës. Për të parë një fitore të katalanasve në Francë duhet të kthehemi në vitin 2001, kur atëherë fitonte ndaj Lionit me rezultatin 3-2. Megjithatë edhe humbja e shtatorti të kaluar ndaj PSG-së është e vetmja, tre ndeshjet e tjera kanë përfunduar në barazim.

Për Barcelonën fakti që mungon Ibrahimovic dhe Verrati për ndeshjen e parë është një avantazh.

“Janë një skuadër e fortë dhe do të duhet mund e shumë punë për t’i mposhtur. Mungesa e Ibrahimovic (ndëshkuar me karton të kuq në përballjen me Çelsin) dhe e Marco Verratti-t na ndihmon, ashtu si edhe ndeshja e dytë në shtëpinë tonë”, deklaroi Jordi Mestre, zv.president i Barcelonës.

“Kemi akoma në kujtesë atë takim fantastik me Barcelonën në muajin shtator. Do luajmë mundësitë tona për t’u kualifikuar. Është një sfidë e vështirë për ne. Kam besim te lojtarët, trajneri dhe stafi i tij. E provuan një fazë më parë se me kurajo, vendosmëri dhe talent mund të tejkalosh edhe sfidat e mëdha”, thotë presidenti i PSG-së, Nasser El-Khelaifi.

Top Channel