Basha: Do votojmë për arrestimin. Të ikë edhe Meta

20/03/2015 00:00

“Për ne, ky nuk vjen si një hap i papritur. Ne kemi paralajmëruar që nga dita e parë, se me Ilir Metën në krye të Parlamentit e vërteta nuk ka asnjë mundësi, drejtësia shqiptare dhe Prokuroria nuk kanë asnjë mundësi të zbardhin të vërtetën”, tha Basha.

Kështu e ka komentuar kreu i opozitës, Lulzim Basha, kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Por, pavarësisht kësaj, ai është shprehur se Partia Demokratike do ta votojë kërkesën e ardhur nga organi i akuzës.

“Ne jemi parti e shtetit ligjor, ndaj është e paimagjinueshme për ne të bllokojmë hetimin. Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit”, u shpreh më tej Basha.

Nga ana tjetër, Basha ka deklaruar se protestat e opozitës do të vijojnë me kauzën e dekriminalizimit.

“Protestat e Partisë Demokratike dhe qytetarëve shqiptarë do të vazhdojnë edhe më të fuqishme, do të vazhdojnë për kauzën e dekriminalizimit. Një kauzë që ende se ka shqiptuar dot as Ilir Meta, as Edi Rama, dhe s’kanë si ta shqiptojnë. Kjo që bëjnë sot është një larje hesapesh midis Ramës, Metës, Tahirit, Doshit dhe Frrokut. Kjo aferë shkon përtej këtyre 5 individëve, apo atyre 12-13 të tjerëve me rekorde kriminale, në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk janë pazaret e pista të tyre të para 23 qershorit dhe të pas gushtit të vitit të kaluar, për të cilat jemi ngritur në protesta. Është kauza e shqiptarëve, që përbashkon të djathtët dhe të majtët, është kauza e pasigurisë, sepse krimi është ngritur në sistem”, shtoi sërish Lulzim Basha.

Gjithashtu, kreu PD i ka mëshuar sërish kërkesës së opozitës për dorëhqejen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Top Channel