Kërkesa e Prokurorisë, Doshi: Pas urdhërit është Ilir Meta. Përpjekje për të më mbyllur gojën

20/03/2015 00:00

Deputeti Tom Doshi e cilësoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për autorizim për arrestimin e tij dhe të deputetit tjetër të Qarkut të Shkodrës, Mark Frroku si një përpjekje për t’i mbyllur gojën.

“Po përpiqen të bëjnë burgosje politike në Shqipëri në vitin 2015. Po përpiqen të më mbyllin gojën për denoncimin e një krimi ku është i përfshirë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Në Rusi ndodh që Vladimir Putin vret dhe burgos kundërshtarët politik, na doli një Ilir Meta dhe në Shqipëri që kontrollon gjithë pushtetet dhe kërkon të burgosë deputetë politikisht. Pasi dështoi të më vriste, Ilir Meta po kërkon të më burgos, duke bërë bashkëpunëtor në këtë krim gjithë strukturat e shtetit, përfshirë dhe Parlamentin”, shkruan Doshi në Facebook.

Deputeti i Shkodrës e cilëson kërkesën tendencioze, të pabazuar në ligj dhe e nxitur politikisht.

“Është i pashpjegueshëm, përveçse për arsye politike, nxitimi i Prokurorisë për një shoë publik me arrestime, kur unë disa ditë më parë kërkova të administrohej si provë për hetimin takimi në Hanover i Spartak Brahos me Fatjon Skënderaj, përpara se ai të dëshmonte me qëllim që të manipulohej dëshmia”, thuhet në tej.

Doshi ngre disa pyetje mbi procesin hetimor.

“Pse ky nxitim kur faktori ndërkombëtar po unifikonte qendrimin për një hetim ndërkombëtar të këtyre akuzave? Pse nuk u morën pamjet e Sheratonit për të parë ndjekësit e mi? Pse nuk janë analizuar pamjet filmike të atentatit me motor picash që u tentua ndaj meje pranë Kryesisë së Kuvendit? Pse nuk u analizuan tabulatet e mesazhet telefonike të 45 dëshmitarëve dhe të pyeturve në këtë hetim?”, pyet deputeti Doshi.

Në vijim të reagimit të tij, Doshi shkruan se në asnjë vend demokratik me hetim të lirë dhe pavarur, nuk mund të mbylleshin këto hetime në mënyrë të shpejtë dhe të prerë, pa pyetur dhe analizuar dhe provën më të fundit.

“Unë, Tom Doshi kam treguar të vërtetën përpara prokurorëve dhe Zotit dhe kjo e vërtetë do të zbardhet patjetër. Kam bindjen që edhe këta prokurorë kanë prova të mjaftueshme për zbardhjen e së vërtetës, por duket që pushteti politik mbi kokën e tyre nuk kërkon të vërtetën”, përfundon reagimin e tij deputeti Doshi.

Top Channel