Minxhozi: Procesi është ende larg të konsideruarit i mbyllur

20/03/2015 00:00

Për të diskutuar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e dy deputetëve, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve ka qenë Skënder Minxhozi, kryeredaktor i revistës “Java” dhe analist i atashuar pranë Top Channel.

TCH: Sot kemi një kërkesë zyrtare të Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve. Çfarë do të thotë për ju ky vendim i Prokurorisë?

Skënder Minxhozi: Përveç se u mbyll procesi hetimor më i gjatë në historinë e organit të akuzës në pluralizëm, sa i përket një çështjeje me konotacion të fortë politik. Edhe pse nisi si një akuzë për vrasje, fakti që i drejtohej kreut të Kuvendit provokoi një efekt edhe më të madh nga sa e prisnin akuzuesit në fillim. Doshi, vështirë t’i mendonte kaq gjatë pasojat e akuzave të tij, fillimisht ndaj Ramës, për arsye politike, e më pas një riformulim i akuzës ndaj Metës. Nuk jam i sigurt nëse Doshi do ta rimerrte këtë nismë për të akuzuar kryeparlamentarin, po të dinte që do merrte këto përmasa. Por sot kemi një hetim spektakolar, ku për herë të parë është paraqitur në Prokurori ish-kryeministri Berisha, dhe shumë prej politikanëve më të lartë të vendit, duke kryer pafundësisht ballafaqime edhe me persona të tjerë, bashkëpunëtorë të palës akuzuese. Një hetim i gjerë, i thellë e me shumë aktorë, që më në fund erdhi në përmbyllje të kësaj sage të gjatë akuzash e kundërakuzash, pas të cilit organi i akuzës nga ana e tij thotë se gjithçka është e organizuar. Një përfundim shokues për vetë ata që kanë ngritur akuzat, por nuk është hapi i fundit, sepse pas fjalës së organit të akuzës pritet të vijohet me luftën nëpër gjykata.  Duhet theksuar se Doshi dhe Frroku vijojnë të prezumohen të pafajshëm, deri në vendimin e gjykatave të të gjitha shkallëve. Gjykimi i kësaj çështjeje mendoj se do të zgjasë më shumë se 17 ditë gjykimi, sot u formulua vetëm akuza e çështjes “Doshi”.

TCH: Cilat janë pasojat, që mund të pësojnë këta dy deputetë, duke pasur parasysh nga gjoba deri në 5 vjet burgim? Gjobën nuk e kanë asgjë, për shkak të pasurisë së tyre…

Skënder Minxhozi: Mendoj se është shpejt për t’u kapur pas dënimeve teorike që ekzistojnë në dispozita ligjore për krime të ngjashme. Fillimisht duhen provuar krimet dhe më pas duhet të vendosë gjykata mbi këto krime, bazuar në dispozitat e ligjeve në fuqi të cituara prej jush. Mendoj se këtë aferë do ta shoqërojë një tension i madh politik, siç shoqëroi hetimin, dhe mendoj se situata rreth çështjes “Doshi” është larg së konsideruarit e përmbyllur. Sot kemi një formulim në formë të prerë të akuzës, por gjetja e fajësisë do të jetë një proces i gjatë që do të kërkojë kohë, mes një ambienti të ndezur politik, siç jemi mësuar të shohim.

TCH: Si e shihni qëndrimin e opozitës dhe zotit Basha pas këtij vendimi?

Skënder Minxhozi: Ju sapo raportuat edhe reagimin e Ambasadës amerikane mbi këtë çështje. Mendoj se që nga ky moment, opozita gjendet në vështirësi në shpjegimin e qëndrimit të saj, jo vetëm për të huajt, më së shumti aleatët e vetë në Europë duke marrë një mbështetje në parim, por të shpjeguarit e këtij qëndrimi edhe në raport me zgjedhësit. E kam thënë se kauza e Doshit nuk është një kauzë opozitare, por një ngjarje e brendshme fiziologjike e së majtës. Natyrisht që impakti është në të gjithë jetën politike, por jo e tillë sa të shfrytëzohej nga opozita për t’u kthyer në një kauzë politike të dorës së parë. Kujtoj se opozita nxorri më herët njerëzit në shesh për të protestuar në lidhje me këtë, ata ishin shumë të paktë në numër siç u pa. Besoj se edhe protestat do të vijnë nga momenti në moment duke u pakësuar.

TCH: I vetmi që deri më tani ka qëndruar në heshtje është Edi Rama. Duket sikur e gjithë kjo zallamahi politike nuk ka lidhje me të?

Skënder Minxhozi: Sot ne shohim sesi njëra palë i kërkon dorëheqjen palës tjetër, ndërkohë që në Shqipëri është vendosur një standard i mosdorëheqjes prej vitesh. Madje ata që e çimentuan së fundi këtë në zhvillimet e viteve të fundit këtë lloj standardi, janë ata që sot kërkojnë dorëheqjen e Ilir Metës nga kreu i Kuvendit. Nuk u dha një dorëheqje qoftë për akuzat zyrtare të Prokurorisë në lidhje me shpërdorimin e fondeve të rrugës Durrës-Kukës nga zoti Basha, ashtu si dhe për ngjarjet e 21 janarit, si nga zoti Basha, ashtu dhe nga zoti Berisha. Madje Prokurorisë nuk iu dorëzuan as 5 gardistët e thjeshtë, apo qoftë të nivelit më të lartë. Niveli i moslargimit nga posti është vështirë të kërkohet, sepse standardi është vendosur qysh në të shkuarën. Sa i përket Ramës, do të thoja se kryeministri është relativisht i mënjanuar nga kjo histori. Rama ka rastin dhe sfidën me këtë që po ndodh që, duke filluar prej zgjedhjeve lokale, të mendojë mirë përpara se të shkruajë emrat e kandidatëve për kryetar bashkie. Madje edhe pas dy vitesh, kur të hartojë listën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ta mendojë sërish mirë për njerëzit që ai do të preferojë të çojë në Parlament. Shpresoj që kjo që ndodhi të jetë një leksion për partitë dhe një shtysë që e gjithë klasa politike të gjejë forcat që t’i japë jetë një procesi të ndryshimeve rrënjësore si të ligjit elektoral, edhe mekanizmave të brendshëm partiakë, me të cilat zgjidhen kandidatët e të gjithë niveleve. Kostoja e korrigjimit të këtij problemi pas zgjedhjes së tyre është më e lartë, sesa gjatë hartimit të listave.

Top Channel