Planifikuan sulme terroriste, shpallen fajtorë dy shtetasit kanadezë

21/03/2015 00:00

Dy shtetas kanadez, të akuzuar se do të kryenin sulme në trenin e pasagjerëve Nju Jork-Toronto, janë shpallur fajtorë për 8 nga nëntë akuza të ngritura ndaj tyre për terrorizëm.

Raed Jaser dhe Chiheb Esseghaier u arrestuan në vitin 2013, pas një hetimi të gjatë të policisë. Prokurorët pohuan se dy personat kishin shpenzuar muaj të tërë për të organizuar sulmin, ku synonin të vrisnin sa më shumë njerëz të pafajshëm.  

Avokatët mbrojtës të Raed Jaser argumentuan se ai nuk ishte i interesuar për të kryer sulme terroriste, por i ishin ofruar para nga Esseghaier dhe nga një agjent i fshehtë i FBI-së, i cili ishte përfshirë si një shtetas egjiptiano-amerikan, drejtues i një kompanie ndërtimi që synonte të kryente sulme terroriste. Sipas rrjetit CBC, agjenti i FBI-së kishte arritur të regjistronte 25 orë bisedë mes tij dhe dy personave, tashmë të shpallur fajtorë.

Esseghaier ishte doktorant në Institutin Kombëtar për Kërkime Shkencore në Montreal, ndërsa Jaser punonte si agjent i Shërbimit të Klientit në një kompani.

Top Channel