Raporti i BE: Në Jeruzalem po përhapet ideja e dhunës dhe e ekstremizmit

21/03/2015 00:00

Vetëm pak ditë pas fitores së Benjamin Netanyahu-t për një tjetër mandat si Kryeministër i Izraelit, një raport i shumë përfolur i BE-së arrin në përfundimin se Jeruzalemi ka arritur tashmë në një pikë të rrezikshme, pasi në të po përhapet edhe më tepër ideologjia e dhunës dhe e ekstremizmit.

Të dhënat flasin gjithashtu për një ndarje të madhe të kryeqytetit izraelit, që nga viti 1967. Duke bërë thirrje se ky fakt do të ashpërsojë sanksionet e Perëndimit mbi Izraelin. Raporti vjen në një kohë kur administrata ‘Obama’ nuk shquhet për marrëdhënie të mira me Izraelin dhe Presidenti amerikan e ka vënë liderin izraelit në qendër të kritikave, se ky i fundit po e vështirëson procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Situata në Jeruzalem përshkruhet si një cikël vicioz dhune, i cili përbën kërcënim për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve Izrael-Palestinë. Përveç kësaj, raporti fajëson edhe tensionet e shkaktuara nga forcat palestineze për shkatërrimet e shtëpive dhe dëbimet me forcë, që u janë bërë njerëzve në zonën e përgjakur nga sulmet.

Dokumenti është përgatitur bashkërisht nga krerët e vendeve europiane, të cilët janë me mision vëzhgimi në Jeruzalem. Gjithashtu, ky grup pune u këshillon politikëbërësve të jashtëm të BE-së për t’i dhënë drejtim situatës në Jeruzalem.

Sipas burimeve, raporti që po diskutohet gjerësisht në Bruksel ka rritur spekulimet se, SHBA dhe BE po kërkojnë t’i diktojnë Izraelit një strategji më të ashpër për të shtyrë përpara procesin e ngecur të paqes, me qëllim që të rindërtojnë zgjidhje alternative.

Top Channel