Siri, më shumë se 70 anëtarë të forcave qeveritare vriten nga ISIS

21/03/2015 00:00

Më shumë se 70 anëtarë të forcave qeveritare siriane janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit nga militantët e Shtetit Islamik, ka bërë të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Militantët e ISIS kanë ndërmarrë sulme të shumta në Homs dhe në Hama ndaj pozicioneve të drejtuara nga forcat qeveritare, si dhe në pikat e kontrollit.

Drejtori i Observatorit, Rami Abdel Rahman, tha për AFP-në se rreth 50 persona mbetën të vrarë në një fshat, në Hama. Ndërkohë që, gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të vrarë edhe disa militantë të ISIS, por nuk dihet numri i viktimave në radhët e terroristëve.

Zonat kryesore në Homs dhe në Hama janë të kontrolluara nga forcat e Asad, ndërsa ISIS ka nën kontroll disa territore në lindje të këtyre dy krahinave.  

“ISIS ka hasur pengesë kohët e fundit në krahinat e Aleppo, Raqa dhe në Hasakeh në konfrontime me kurdët në njërën anë dhe forcat e regjimit në anën tjetër, dhe tani po kryejnë sulme në Homs e në Hama për të kompensuar humbjet”, tha Rahman.

Top Channel