Kina, Japonia dhe Korea e Jugut rinisin bisedimet pas 3 vjetësh

21/03/2015 00:00

Ministrat e Jashtëm të Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut do të takohen në Seul gjatë ditës së sotme për bisedime, të cilat mungonin mes këtyre tre vendeve që prej tre vjetësh.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se takimi ka të ngjarë të përqendrohet në tensionet rajonale, marrëveshjet territoriale dhe diplomatike. Të tre shtetet kanë lidhje të forta ekonomike, por marrëdhëniet ende vuajnë nga çështje të pazgjidhura që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tre ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve u takuan në prillin e vitit 2012, në takimin e gjashtë vjetor trepalësh. Një vit më pas, takimi u anulua pas tensionit të krijuar për vizitën e Kryeministrit Japonez në një vend të shenjtë që nderon viktimat e luftës së Japonisë, përfshirë edhe një numër kriminelësh të luftës.

Top Channel