SHBA, sulmohen me hanxhar agjentët e aeroportit të Nju Orlinsit

21/03/2015 00:00

Momente terrori janë verifikuar në aeroportin ndërkombëtar “Louis Armstrong” të Nju Orlinsit, në SHBA, ku një person ka sulmuar dy agjentë policie me një hanxhar.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, agjentët kanë mundur të reagojnë duke përdorur pistoletat dhe duke e qëlluar disa herë agresorin, që aktualisht ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë.

Sipas versioneve të para të ngjarjes, agresori, 63 vjeç, ka përdorur spraj për insektet në sytë e një polici dhe më pas ka nxjerrë një thikë të gjatë, duke goditur me të një polic tjetër.

Në atë pikë, mes panikut të njerëzve që kishin populluar zonën e aeroportit, ka nisur ndjekja e agresorit, i cili është qëlluar disa herë nga një agjent. Përveç oficerit të sulmuar me hanxhar, një tjetër person ka mbetur i plagosur nga një plumb që e ka gërvishtur pak.

Njerëz të tjerë kanë mbetur më pas të trembur nga kaosi i krijuar nga agresioni dhe të shtënat. Shumë prej tyre kanë vrapuar për të shpëtuar dhe të tjerë janë fshehur prapa kolltuqeve të sallës së pritjes në aeroport.

Top Channel