Mustafa Nano: Radikalizmi rrezikon seriozisht kombin

21/03/2015 00:00

“Shqiptarët krenohen me tolerancën fetare dhe bëjnë mirë. Është tashmë
një traditë e pamohueshme fakti, që midis feve në Shqipëri, në historinë
e shekullit të fundit, por edhe më parë nuk janë vënë re fërkime
serioze, e aq më pak konflikte”.

Kështu është shprehur të premten në Shkup analisti Mustafa Nano, gjatë promovimit të librit të tij “Pax Albanica”. Intelektualë, e njerëz të zakonshëm të Shkupit, u bënë bashkë në një diskutim për librin “Pax Albanica” në ambientet e Qendrës Kulturore Informative QIK në Shkup, në një aktivitet organizuar nga shtëpia botuese “Logos A” dhe shtëpia botuese “Saras”.

I botuar një vit më parë nga “Saras” libri i Nanos ka ngjallur jo vetëm kureshtje, por edhe diskutime mbi raportin që shqiptarët kanë pasur ndër shekuj me besimin. Një raport që sipas Nanos është për t’u admiruar, gjë që është vënë re dhe nga të huajt që kanë shkelur në këtë vend.

“Harmonia midis feve është një pasuri e madhe kombëtare, është një motiv mburrjeje për shqiptarët. Nga ana tjetër, nuk jam dakord me ata që thonë që prania e shumë feve është pasuri. Pasuri nuk është prania e shumë feve, pasuri dhe thesar është harmonia mes tyre”, tha Nano, duke shtuar se kjo është dhe një nga tezat më të rëndësishme që mbart ky libër”. Ne duhet të bëjmë çmos që harmoninë mes feve ta shndërrojmë në një normë qytetare, jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën shqiptare. Toleranca fetare duhet të jetë një normë qytetare, dhe secili prej nesh duhet ta ketë në qendër të vëmendjes”, ka thënë Nano, duke vazhduar se “ky komb është ngritur mbi një pakt të heshtur, qysh në kohërat e hershme, për të respektuar fetë e njëri-tjetrit”. “Në momentin që do dominojë radikalizmi ky komb rrezikon seriozisht, dhe ky është shqetësimi i dytë që unë e ngre në këtë libër”, tha Nano. Për drejtorin e botimeve “Saras”, Besnik Myftari, libri mbart vlera jo vetëm historike, por edhe aktuale për nga mesazhi që përcjell që është domosdoshmëria e ruajtjes së këtij uniteti harmonik mes feve. Akademik Ali Aliu e quajti promovimin e këtij libri në Shkup një ngjarje. Studiuesi i njohur i letrave shqipe veçoi gjuhën për të shprehur guximshëm një temë pa tabu, që ka të bëjë me tolerancën dhe religjiozitetin te shqiptarët. Aliu foli dhe për strukturimin e librit dhe gjuhën thelluese të tij. “Është i nevojshëm rizgjimi i një debati mbi tolerancën fetare te shqiptarët dhe prioriteti i ruajtjes së kombit gjatë këtij debati”, tha Aliu. Dr. Zekirija Ibrahimi theksoi nivelin e gjuhës dhe stilin e përdorur nga autori në aspektin metodologjik, duke theksuar se libri është i punuar mirë dhe përmban argumente me të cilat ndeshemi çdo ditë. Ibrahimi foli për dukuritë e shkujdesjes ndaj praktimit të fesë ndër shqiptarët dhe potencoi faktin që shqiptarët janë të fesë së krishterë dhe islame, trungu i të dy feve është i njëjtë që të dyja janë abrahamike. “Na është i njohur fakti se Jezui e Muhamedi janë pasardhësit e bijve të Abrahamit ose Ibrahimit, njëri nga trungu i Ishakut e tjetri nga trungu i Ismailit, që të kultivohet fryma se të dyja këto religjione e kanë një trung të përbashkët dhe se janë manifestimet e hermeneutikës të ndryshme ato që i kanë bërë të dallohen, ndërsa thelbi është feja monoteiste e Babait të Monoteizmit”, tha ai. Dr. Zeqirija Ibrahimi po ashtu theksoi se shumësia fetare është një plage, ashtu siç është plagë edhe mungesa e teologjisë shqiptare, pavarësisht cilës fe klerikët i takojnë. “Libri “Pax Albanica” i Mustafa Nanos, është një sfidë e vërtetë për gjithë Shkupin dhe ambientin shqiptar të Maqedonisë, ku, shumë rrallë ose fare pak hasim debate mbi shumësinë e feve te shqiptarët. Autori Mustafa Nano i është qasur kësaj çështjeje, duke bërë analiza dhe vështrime nga shumë anë, për të ardhur në përfundimin se shumësia e feve te shqiptarët nuk është një avantazh që neve shpeshherë kemi dëshirë ta paraqesim si të tillë, por më shumë është një plagë shqiptare, e cila në të shumtën e herëve, e ka penguar zhvillimin e kombit”, tha Ibrahimi. Sipas tij, toleranca fetare është mekanizmi që i bën shqiptarët të ndërgjegjshëm se sa e thyeshme është çështja kombëtare nëse përfaqësuesit e feve nuk janë të kujdesshëm, ndaj kësaj çështjeje me interpretimet e tyre. “Në kohën, kur në botë zhvillohen aq shumë debate mbi fetë, ku ekstremizmi fetar gjithandej shprehet me format e tij jo edhe të lavdishme, kujtojmë se ka qenë e rendit që edhe ne në Shkup, të flasim në këtë temë”, tha Ibrahimi. “Pax Albanica” u promovua dje në Shkup pas një turi promovimesh që pati në qytete të ndryshme të vendit. Një muaj më parë libri zgjoi debate dhe kureshtje në Bibliotekën e Prishtinës. Shkupi ishte një tjetër ndalesë e rëndësishme që plotëson hartën e vendeve shqipfolëse. “Logos-A” e zgjodhi librin e Nanos si një libër të guximshëm që nxit debate te shqiptarët mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së harmonisë fetare.

Top Channel