Shtretër të mëdhenj, ekrane LCD dhe madje kuzhinier personal. Janë këto disa nga elementët e Klasit të Parë që ofrojnë kompanitë ajrore më luksoze në botë.

Janë avionë në shërbim të atyre që nuk bëjnë dot pa luksin, edhe kur ndodhen 10 mijë metra mbi tokë e që mund të konsiderohen pa frikë limuzinat e qiellit.

Kryesisht përdoren për fluturime të gjata, si për shembull nga Sidneji në Londër, nga Hong Kongu për në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e kthyer kalimin e oqeanit në një udhëtim me 5 yje.

Një prej kompanive që ofron këtë shërbim të privilegjuar është arabja “Etihad”. Avioni i saj i ri për fluturimin “A380” përmban atë që quhet “The Residence”, një kabinë private thuajse 12 metra katrorë, e ndarë në tre zona: dhomë ndënjieje, dhomë gjumi, banjo me dush dhe… një mazhordom personal.

Por ofertat e kompanisë së Emirateve Arabe nuk mbarojnë me kaq. Ajo ofron edhe formulën “Apartments”, kabina të mëdha të mobiluara me kolltuqe dhe divane luksoze, si dhe të pajisura me një studio ku mund të diskutohen çështje biznesi dhe një kuzhinë me ushqime të zgjedhura dhe verërat më të mira.

Këto shërbime ofrohen kryesisht për linjat Abu Dhabi-Londër dhe së shpejti edhe Abu Dhabi-Sidnej. Sa i takon luksit, nuk mbetet pas “Cathay Pacific Airways”, me bazë në Hong Kong.

Klasi i parë i disa prej avionëve të saj është dizajnuar nga studioja londineze “Foster + Partners”, me kolltuqe e divane lëkure, si dhe me skulptura që mbajnë firmën e artistëve më të njohur, Maria Lobo dhe Linda Leviton.

Por e veçanta e shërbimit të kompanisë aziatike fillon në aeroport, me sallat e pritjes të rezervuara posaçërisht për klientët VIP, larg flukseve të udhëtarëve.

Në njërën prej tyre, përshembull, mund të pritet ora e fluturimit në një nga 5 “Cabanas”: salla relax-i me dushe, vaska dhe kanape për t’i shijuar në privatësi të plotë.

Kompani të tjera ajrore që ofrojnë këto shërbime janë: “Singapore Airlines”, që ka brenda edhe një restorant luksoz me 5 yje; “Omban Air”; “Quantas” apo “Qatar”.

Top Channel