Berisha: Vetëm revolucioni demokratik shpëton vendin

21/03/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot, pas kërkesës së Prokurorisë së
Përgjithshme që Kuvendi të japë autorizimin për arrestimin e Tom Doshit
dhe Mark Frrokut.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan: “Prokuroria i kërkoi Parlamentit autorizimin për arrestimin e dy deputetëve të mazhorancës së qelbësirave, Tom Doshi dhe Mark Frroku, sepse janë përfshirë në një komplot anti-mazhorancë dhe kanë akuzuar Ilir Metën për skenarin e vrasjes së deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Prokuroria nuk ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ilir Metës, i cili pas zbulimit të komplotit kundër tij, thirri familjarët e deputetit Fufi, shpifi në mënyrën më të ulët dhe u tha atyre se vëllain e tyre do ta eliminojë Sali Berisha. Meta në krye të Parlamentit ka kryer një krim të shëmtuar, por në emër të barazisë para ligjit, ai nuk mund të akuzohet, sepse vërtet në ‘fermën e derrave’ të gjithë derrat janë të barabartë, por disa derra, ndër ta dhe Meta, janë më të barabartë se të tjerët”.

Berisha, ashtu sikurse edhe disa ditë më parë, theksoi se vetëm një revolucion demokratik e shpëton vendin nga ata, që sipas Berishës, janë vrasësit në krye të mazhorancës dhe falangat e tyre në trungun dhe gjymtyrët e saj.

Top Channel