Njeriu pa gjymtyrë që drejton turmën

21/03/2015 00:00

Ai njeri qëndron përpara një turme njësoj si të ishte në një stadium. Ai tërheq vëmendjen e mijëra vetëve, pjesërisht për shkak të humorit, në disa raste prekës, si dhe fjalimit mbi fuqinë dhe shpresën. Por ndoshta edhe për faktin se ai thjesht qëndron atje.

Bëhet fjalë për Nick Vujiçiç, presidenti 32-vjeçar i shoqatës promovuese të fjalimeve motivuese, “Qëndrojmë me Kokën Lartë” (Attitude is Altitude). Nick ka lindur pa krahë dhe pa këmbë.

Edhe pse lufton për të bërë praktikat e jetës së përditshme, si për shembull të lajë dhëmbët, ai është bërë një nga personat më të kërkuar për të mbajtur fjalime shpresëdhënëse.

Nuk ka një shpjegim mjekësor për paaftësinë fizike të Vujiçiç, një rast i rrallë çrregullimi i lindjes i njohur si sindroma tetra-amelia. Ai ka vetëm një këmbë të vogël në anën e majtë të këllqeve që e ndihmon të ruajë ekuilibrin.

Por ai mund të shkruajë në kompjuter, të kapë gjërat me gishtat e këmbës dhe madje të gjuajë edhe një top. Gjithashtu, i vetëquajturi “narkoman i adrenalinës” bën rregullisht not dhe ka mësuar edhe të zhytet.

Vetëbesimi nuk ishte diçka që i erdhi natyrshëm Vujiçiç. I rritur në Melbërn të Australisë, ai luftoi me depresionin dhe djemtë e shkollës që e ngacmonin.

Kur ishte 10 vjeç tentoi edhe vetëvrasjen, por me kalimin e kohës mësoi t’i shihte gjërat ndryshe dhe kur mbushi 17 vjeç, në një takim prindërish një i rritur e ftoi të shfaqej në publik dhe të mbante fjalime.

Australiani, tashmë 32 vjeç, udhëton nëpër botë duke iu drejtuar turmave të mëdha, përfshirë grupeve të biznesit dhe fëmijëve të shkollave. Ai ka vizituar mbi 50 vende dhe ka mbajtur me mijëra fjalime.

Aktualisht, pasi ka shkruar librin e kujtimeve “Dashuri pa Gjymtyrë”, jeton në Kaliforni me bashkëshorten Kanae dhe djalin e tyre 2-vjeçar, ndërsa presin ardhjen në jetë të një fëmije tjetër më vonë gjatë 2015-s.

Vujiçiç drejton shoqatat jofitimprurëse, “Jetë pa Gjymtyrë” dhe “Qëndrojmë me Kokën Lartë”, që ka në fokus fjalimet e tij motivuese dhe fushatat kundër bullizmit.

Top Channel