Pasojat sociale të kumarit

21/03/2015 00:00

Përveç rastit tipik të Viktor Gushos, i dënuar me burg të përjetshëm për
15 krime të kryera prej tij, kryesisht grabitje bankash e filiale, ku
shpërndaheshin lekët e pensionit, shuma që më pas i harxhonte në
lojërat e fatit, bixhozi së fundmi po dëmton edhe familjen.

Vetëm për muajin shkurt, të dhënat tregojnë se në Gjykatën e Tiranës është dhënë vendimi për divorc për tre çifte, martesa e të cilëve ka marrë fund pikërisht nga bixhozi.

Top Channel disponon vendimet përkatëse, ku partneret ankohen për bashkëshortët.

“Im shoq, edhe pse punonte, të ardhurat i luante bixhoz. Për shkak të vesit që kishte nuk kujdesej për familjen. Kjo situatë u bë shkak i grindjeve të vazhdueshme, keqtrajtimeve dhe fyerjeve, duke sjellë një gjendje të padurueshme”, thotë E. Koka, 27 vjeçe, me një femijë, martuar prej 8 vitesh.

“Familja jonë kaloi në vështirësi ekonomike për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të të paditurit, i cili fitoi vese duke përdorur alkool e duke lozur lloto. Të ardhurat e familjes sonë filluan të shpërdoroheshin dhe të vihen në lloto. Situata u bë e paduruar, pasi solli si rrjedhojë grindje të vazhdueshme”, thotë A.Kori, 31 vjeç, me dy fëmijë, martuar prej 10 vjetësh.

“Shkak për tronditjen e martesës u bë fakti që i padituri, gjatë gjithë kohës ka luajtur bixhoz në shuma të mëdha parash dhe, si pasojë, nuk ka kontribuar financiarisht në familje””, thotë në padinë e saj, V.Bano, 40 vjeçe, e martuar prej 16 vjetësh, me dy fëmijë.

Ndërkohë për muajin mars, thotë Gjykata e Tiranës, janë në proces gjyqësor dy çifte të tjera, pas padisë se bashkëshorteve, që i jane drejtuar gjyqësorit, pasi nuk pranojnë që martesa e tyre të jetë ne lojë, siç edhe vesi i partnerëve të tyre në lojërat e fatit.

Top Channel