Këshilli i Mandateve vendos të Hënën, Doshi: Asnjë akuzë nuk qëndron

21/03/2015 00:00

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet në orën 10 të Hënën për të vijuar me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për autorizimin për arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut.

Anëtarët e këshillit të drejtuar nga Vangjel Dule, pas tërheqjes së Ilir Metës nga kryesimi i tij, i kanë lënë dy ditë kohë deputetit Doshi për të përgatitur mbrojtjen e tij, ndërsa ai vetë kërkoi një javë për t’u njohur me akuzat e prokurorisë.

Deputeti Doshi ka kërkuar gjithashtu edhe paraqitjen në këtë këshill me avokatin e tij, përmes të cilit ka kërkuar të japë shpjegime përpara kolegëve deputetë mbi kërkesën, e cila u pranua nga këshilli ku të pranishëm ishin edhe dy prokurorët e Krimeve të Rënda që kanë ndjekur çështjen.

Megjithë kohën e kërkuar nga Doshi për t’u njohur me akuzat dhe shpjegimet përmes avokatit, ai është i bindur se po gjykohet politikisht.

“Për kallëzim të rremë: Kjo bie poshtë menjëherë sepse kallëzimin nuk e ka bërë Tom Doshi. Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme akoma është deklarata që thotë se hetimet kanë filluar kryesisht nga një kallëzim që e ka bërë policia. Për kanosje: në kërkesën e prokurorit nuk ka asnjë thënie apo provë se kush është kanosur prej meje. Për dëshmi të rreme: Kjo është një kundervajtje penale që dënohet me gjobë dhe dënim të lehtë, për të cilën deri sot nuk është arrestuar në proces hetimi asnjë shqiptar. Nuk ka asnjë rast të vetëm në 24 vjet demokraci”, shkruajti pak më vonë në Facebook Tom Doshi.

Tom Doshi ka qendruar më gjatë pranë ambjenteve të Kryesisë së Kuvendit, ku mbledhja e Këshillit u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa për deputetin tjetër për të cilin prokuroria gjithashtu kërkon autorizimin e parlamentit për arrestimin e tij, Mark Frroku, koha ka qenë më e shkurtër.

Ai ka depozituar shpjegimet e tij dhe verejtjet për procesin me shkrim dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë për mediat.

Ndërsa mazhoranca ka preferuar të heshtë për çështjen e dy deputetëve që kanë qenë pjesë e saj, demokratët kanë qenë prezent me qëndrimin e tyre edhe përpara fillimit të mbledhjes, duke deklaruar përmes Eduart Halimit se do të mbështesin kërkesën e prokurorisë.

Mbledhjen e Këshillit demokratët e kanë shfrytëzuar për të bërë prezent edhe një tjetër kërkesë të tyre të depozituar me herët, atë për Koço Kokëdhimën. Për këtë të fundit PD ka kërkuar disa javë më parë fillimin e procedurave për heqjen e mandatit, pasi sipas saj Kokëdhima ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde publike edhe pasi është zgjedhur deputet.

Këshilli nuk është mbledhur asnjëherë për këtë kërkesë, fakt i nënvizuar nga demokratët, për të sjellë në vëmendje kontrastin me rastin “Doshi e Frroku”.

Top Channel