Rama inspekton projektet në Gjirokastër

21/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama ndoqi në Gjirokastër ecurinë e disa projekteve të rëndësishme për qytetin. Ai inspektoi punimet për ndërtimin e Parkut të Viroit, ku shëtitorja prej 3 kilometra në hyrje të qytetit, shtrihet përreth Liqenit të Viroit.

Projekti synon rivitalizimin e parkut si destinacion turistik, por edhe kthimin në një hapësirë me funksionalitet social për qytetarët e Gjirokastrës.

Një tjetër projekt i rëndësishëm për Gjirokastrën është rikonstruksioni i plotë i rrugës hyrëse të qytetit, në segmentin nga Parku i Viroit deri tek Varrezat e Dëshmorëve.

“Ishte një ditë e bukur edhe në Gjirokastër, sepse faktikisht, qyteti po fillon të marrë frymë dhe projektet e kantierit tonë të rilindjes po fillojnë të marrin formë, duke i dhënë Gjirokastrës shpresën e humbur për kaq shumë vite dhe duke i kthyer vëmendjen nga ky thesar i madh i trashëgimisë sonë kulturore. Ne do të vazhdojmë të bëjmë për Gjirokastrën edhe më shumë, dhe që tani kemi mbajtur zotimin që në qeverisjen tonë Gjirokastra do të marrë më shumë vëmendje dhe më shumë financime sesa në 20 vite të shkuara, të mbledhura së bashku.Megjithatë, edhe në vitet e ardhshme kjo do të vazhdojë dhe Gjirokastra do të fillojë të shkëlqejë siç i ka hije, falë qeverisjes së socialistëve dhe progresistëve”, deklaroi Rama.

Po ashtu kryeministri inspektoi edhe punimet në shkollën “Siri Shapllo”.

Top Channel