Ekspertët: Të ndalet ndërtimi i HEC-eve. Humbasim më shumë nga shkatërrimi i lumenjve

21/03/2015 00:00

Pak para Ditës Botërore të Ujit, shoqëria civile i kërkon qeverisë të vendosë moratorium për  ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve si për ata të cilët kanë marrë koncesionin dhe nuk e kanë ndërtuara ende hidrocentralin, por dhe për ata të cilët kërkojnë të marrin leje të reja të paktën për një periudhë trevjeçare.

“I propozojmë qeverisë shqiptare që të konsiderojë vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve. Në Shqipëri ne sot kemi 499 licensa, koncesione të dhëna për hidrocentralet. 342 prej këtyre nuk kanë filluar ende ndërtimin. I propozojmë qeverisë së pari të ndalojmë ndërtimin e këtyre që kanë marrë koncesionin, por të ndalohen edhe hidrocentralet e reja. Ne ofrojmë asistencë teknike për të bërë kritere të reja për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, për një proces me rigoroz për dhënien e këtyre licensave ku të merren parasysh të gjitha aspektet e përdorimit të ujt. Aktualisht nuk merren në konsideratë përdoruesit e tjerë të ujit, që janë banorët lokalë, bizneset, bujqësia, të cilët në shumë raste ngelen pa ujë”, thotë Geni Krodhima, President i INCA.

Shpesh në zonat ku janë ndërtuar hidrocentrale u janë shkaktuar probleme popullatës së zonës në furnizimin me ujë, por nga ana tjetër janë dhënë koncesione pa kriter për ndërtimin e hidrocentraleve në zona të mbrojtura natyrore.

“Ajo që është shqetësim është se po preken zona që janë vërtetë natyrore. Gati 500 koncesione, do të thotë që nuk ka lumë në Shqipëri që nuk ka hidrocentrale. Ajo që duhet të tërheqë vëmendjen e qeverisë është pikërisht ndalimi e ndërtimit të HEC-eve në zonat e mbrojtura, në Vjosë, Valbonë, Shalës që janë brenda parqeve kombëtare”, shton Krodhima.

Shoqëria civile ka protestuar sa herë ka mësuar për leje të reja të koncesioneve, sic ishte rasti i Radikës. Specialistët theksojnë se duhen peshuar mirë përfitimet që vijnë nga ndërtimi i HEC-eve dhe përfitimit që kemi nga mbrojtja  e lumenjve, ndaj kuadri ligjor duhet përmirësuar për të përforcuar pozitat e institucioneve qendrore dhe lokale në mënyrën e menaxhimit dhe dhënies së lejeve për përdorim dhe shfrytëzim të burimeve ujore.

Top Channel