Sulmet në Jemen, SHBA: S’ka prova që është ISIS

21/03/2015 00:00

Kriza në Jemen u thellua edhe më tepër kur atentatet çnjerëzore në dy xhamitë e Sanas u morën jetën e 137 personave si edhe lanë të plagosur 345 të tjerë.

Të paktën 13 fëmijë ishin në mesin e viktimave. Incidenti tragjik ndodhi kur objektet fetare ishin të mbushura me besimtarë të cilët po zhvillonin ritualin e lutjes të së premtes.  Një grup, i cili pretendon të jetë degë e ISIS në Jemen, mori përsipër përgjegjësinë duke thënë se 5 kamikazë të Shtetit Islamik kishin kryer një “operacion të bekuar”.

Por përgjegjësia që mori ISIS për sulmin nuk mund të konfirmohet pa prova. Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, tha se SHBA nuk ka indikacione për një lidhje operative midis ISIS dhe sulmeve të së premtes. Gjithashtu ai deklaroi se  SHBA po heton për të  parë nëse dega e ISIS në Jemen ka strukturën e duhur për të zhvilluar sulme të këtyre përmasave.

Earnest shtoi se ISIS më shumë gjasë e ka marrë përsipër përgjegjësinë, për të bërë një fushatë propagandistike, me qëllim që t’i tregojnë botës se janë të fuqishëm.  

Jemeni prej kohësh ka qenë baza e Al-Kaedës në Gadishullin Arabik, një degë e grupit të Osama bin Ladenit. Jemeni është copëtuar  prej muajsh dhe përleshjet  e fundit mund të jenë shkak edhe për një luftë civile në vend, që është i ndarë në dy pjesë, mes veriut dhe kryeqytetit Sana, i cili kontrollohet nga shiitet Houthi dhe jugut te vendit, i cili është në duart e Presidentit të shkarkuar Rabbo Mansour Haddi.

Një skenar i tillë sulmesh do të nxise një lëvizje jugore separatiste, duke shkaktuar një kaos më të madh në vend.

Top Channel