Zgjedhjet e brendshme në AAK

21/03/2015 00:00

“Në televizion e kam parë 17 Shkurtin nga qelia i kam pa qindra mijëra shqiptarë duke e festuar pavarësinë çfarë u bë nga ajo ditë e ku jemi ne. Kosovën e ka prish politika, Kosovën e ka prish qeverisja e keqe, nuk e ka prish as otomanët as sllavët”.

Me këtë deklaratë e ka nisur kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj fjalimin para dhjetëra anëtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në tubimin e parë që hapi zgjedhjet e brendshme në këtë parti. Motoja e këtij procesi  është ‘Ktheje Shpresën’ dhe Haradinaj duke folur për qeveritë nëpër të cilat ka kaluar Kosova i quajti tyxharë vendimmarrësit e sotshëm. Ai e bëri përgjegjës PDK-në e Hashim Thacit për situatën por pa e amnistuar as LDK-në  e Isa Mustafës.

Sa i përket procesit zgjedhor në parti, Haradinaj u bëri thirrje të gjithë atyre që duan pozita në parti të mos mendojnë për vete por për një zgjidhje që sipas tij do ta nxjerrë Kosovën nga situata e vështirë.

Procesit të brendshëm zgjedhor në AAK i parapriu një kuvend pune i partisë në të cilin u vendos data 21 mars për fillimin e punimeve. Të gjitha organet duke filluar nga njësia më e ulët që është nëndega, më pas këshilli drejtues, kryesia, dhe kryetari do t’i nënshtrohen zgjedhjeve të brendshme.

Sipas burimeve partiake, Ramush Haradinaj sërish pritet të jetë i vetëm në garën për kryetar të AAK-së. Procesi zgjedhor parashikohet të zgjasë rreth dy muaj.

Top Channel