Kamë, spraj dhe molotov, arsenali i autorit të sulmit në aeroportin e Nju Orlinsit

21/03/2015 00:00

Autoritetet amerikane vazhdojnë hetimet për zbardhjen e sulmit me kamë ndaj dy policëve në aeroportin “Louis Armstrong” të Nju Orlinsit në Shtetet e Bashkuara, ku ndër të tjera bëhet e ditur se në çantën e 62-vjeçarit të identifikuar si Richard White, u gjetën koktejle molotovi. 

White, një shofer taksie, sulmoi krejt papritur me kamë dy efektivët e policisë në momentin kur këta të fundit kërkuan ta kontrollojnë.

Fatmirësisht reagimi i policëve ishte i shpejtë duke neutralizuar agresorin me tre të shtëna. Ai ndodhet në spital ku po kurohet për plagët e marra.

Policia e Nju Orlinsit tha se autori i sulmit që përhapi panik për minuta me radhë në aeroport, nuk ishte udhëtar. Ky fakt dhe sasia e koktejlit molotov të gjetur më vonë në çantën e tij të shpinës, ngre dyshime se White ndodhej në aeroport me synimin e qartë për të ndërmarrë një sulm.

Hetimet janë përqendruar në zbulimin nëse 62-vjeçari ka patur një objektiv konkret, që mund të zbardhë edhe arsyet e aktit të tij, apo nëse sulmi do të kryhej kundër personave të rastit, por që u parandalua nga policia.

Sektorë të aeroportit qëndruan mbyllur për disa orë, për t’u rihapur ditën e shtunë, kur autoritetet dolën me një deklaratë duke thënë se gjithçka ishte e qetë dhe e sigurtë.

Top Channel