SHBA tërheq trupat nga Jemeni

21/03/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara po tërheqin një forcë prej 100 trupash prej Jemenit, përfshirë këtu edhe një grup force elitë të bazës ajrore Anad, në qytetin jugor al-Houta.

Kjo lëvizje vlerësohet si një tjetër tregues i rritjes së pasigurisë në Jemen. Javën e kaluar, militantët e al-Kaedas sulmuan qytetin al-Houta, por më vonë u zbrapsën nga një ofensivë e ushtrisë jemenase.

Lajmi i tërheqjes së trupave amerikane u përhap prej mediave jemenase. Uashingtoni vetë nuk ka komentuar mbi këtë fakt.

Vendimi i Pentagonit mbërrin një ditë pas një seria sulmesh kamikaze në kryeqytetin Sana, ku gjetën vdekjen 137 persona dhe mbi 340 të tjera u plagosën.

ISIS mori përsipër autorësinë e sulmit, por SHBA ngre dyshime. Një zyrtar në Uashington deklaroi se po hetohet nëse dega e ISIS-it në Jemen ka kapacitetet për të ndërmarrë sulme të përmasave të tilla.

Top Channel