OKB, pritet mbledhje urgjente e KS për situatën në Jemen

22/03/2015 00:00

Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të diskutuar mbi situatën në Jemen, pasi presidenti i këtij shteti, Abd-Rabbu Mansour Hadi bëri thirrje për “ndërhyrje urgjente” nga këshilli 15-anëtarësh.

Hadi akuzoi gjatë së shtunës milicinë aleate të Iranit, Houthi, që kontrollon kryeqytetin Sanaa, se po përpiqej të organizonte një grusht shteti për ta rrëzuar atë nga pushteti, teksa tha se është i vendosur të ngrejë “flamurin e Jemenit” në bastionin verior të milicisë Houthi.

Në letrën drejtuar Këshillit të Sigurisë, Hadi bën thirrje për një “ndërhyrje urgjente të çfarëdo lloj forme, në mënyrë që të ndalet agresioni kundër autoritetit legjitim të tij, që synon përçarjen e Jemenit dhe kërcënon paqen dhe stabilitetin e këtij vendi”.

Jemeni duket se po i drejtohet një lufte civile, që prej vitit të fundit kur milicia Houthis pushtoi Sanaa dhe avancoi edhe në zonat e mbizotëruara nga sunitët, duke shkaktuar kështu përplasje me fiset lokale dhe duke aktivizuar kështu një lëvizje separatiste në jug të vendit.

Hadi ka bërë thirrje për një rezolutë në KS-në e OKB-së për të “frenuar milicinë Houthi dhe aleatët e tyre, për të ndalur agresionin ndaj të gjitha njësive administrative, veçanërisht në qytetin e Adenit, si dhe për të mbështetur autoritetin e tij legjitim”.

Ndërmjetësi i OKB-së, Jamal Benomar pritet të informojë këshillin të dielën përmes një videokonference, ku do të flasin gjithashtu edhe ambasadorët e Jemenit dhe Katarit, si kryesues të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik, ku përfshihen vendet arabe.

Këshilli i Sigurisë po negocion një deklaratë mbi situatën në Jemen, e cila mund të miratohet gjatë takimit, bëjnë të ditur diplomatët për “Reuters”. “Nxis këshillin të ngrihet në nivelin e përgjegjësive për të mbrojtur sigurinë dhe për të mbështetur legjitimitetin në Jemen”, mësohet të ketë shkruar Hadi.

Top Channel