Lazarat, shpërthim tritoli. Policia: U hodh në mesnatë në portën e një banese

22/03/2015 00:00

10 minuta pas mesnate, në lagjen “Kordhocë”, të fshatit Lazarat, Gjirokastër, te porta e jashtme e oborrit të shtetasit H. B. është hedhur nga jashtë portës në oborr,  një kallëp tritoli me fitil të ndezur.

Nga shpërthimi i lëndës plasëse janë shkaktuar dëmtime të pjesshme të llamarinës së portës së jashtme të oborrit, por nuk ka asnjë të lënduar apo dëme të tjera materiale.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor dhe vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes,  identifikimin e kapjen e autorit.

Shtëpia është e babait të kryetarit të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko, i cili në një deklarim për mediat aludoi për veprime politike.

Kreu i PD në Gjirokastër tha se sulmet ndaj familjes së tij kanë nisur që prej gushtit të kaluar pas djegies së stallës së familjes dhe kanë vijuar edhe me shpërthime të tjera. Bejko denoncoi praninë e shtuar të policisë në Lazarat si një presion parazgjedhor që po kryhet ndaj banorëve dhe e quajti misionin e policisë të dështuar.

FOTO GALERI
1/3
Shpërthimi është regjistruar 10 minuta pas mesnatës së të dielës

Top Channel